Një videoklip i ri në suedisht i Saranda Hasanit

Diaspora

Një videoklip i ri në suedisht i Saranda Hasanit

Nga: Qerim Kryeziu Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 10:41
Saranda Hasani

Pak retro

Ishte 2014-ta. E kujtoj si sot, mbrëmjen kur doli në skenë para Jurisë së Idolit suedez Saranda Hasani. Teksa afrohej, ashtu  e ëmbël  dhe shumë simpatike, ajo veç i dha goditjen e parë mbresëlënëse Jurisë. Ishte bukuria e shpirtit e kaltërsia-det e syve të saj që rrezatonin. Me ato vlera që posedonte, Saranda e bukur ende pa filluar prezantimin mori biletën e kualifikimit. E lezetshme, e bukur, plot talent e art në të kënduar, Saranda e vazhdonte konkurrimin në netët emocionale të Idolit. Në ditën e inaugurimit të Qendrës Kulturore të Kosovës në Halmstad,  programin e së cilës ngjarje e drejtoja unë, e takova  Sarandën e ndrojtur teksa priste radhën për të kënduar në programin festiv. Atëbotë mu duk edhe më e bukur, edhe më e kthjellët, edhe më artiste. Pastaj kudo, ku më është dhënë rasti jam munduar ta prezantojë ashtu siç e meritonte këngëtarja. Po as edhe fjalët e mia më të zgjedhura e më të bukura nuk e pasqyrojnë dot portretin plot vlera të këngëtares Saranda Hasani. Vajza  e Kosovës, e rritur dhe e shkolluar në Suedi , ka nisur kështu trajektoren e  shkëlqimit artistik njësoj si motrat e saj Rita, Dua, Era e Bebja që tashmë kanë prekur apogjeun estetik në orbitën e muzikës botërore. Vajzat tona, bija të prindërve mërgimtarë , po na bëjnë krenarë me sukseset e tyre  duke na mbushur shpirtrat lumturi e zemrat plot shpresë.

Pak prezantim

Saranda Hasani është këngëtarja e vetme shqiptare që në vitin 2014 arriti në top dhjetëshen më të mirë në programin e famshëm suedez për zbulimin e talenteve të rinj “Idol”. Saranda aktualisht jeton e vepron në Kristianstad . Është aktive në jetën krijues muzikore dhe vepron në shumë qendra muzikore e televizive të Suedisë. Ka studiuar solo-këndimin në shkollën me shumë prestigj “C4 Musikskolan “ të Kristianstadit.  Në vitin 2012 mori  pjesë në festivalin “Top Fest”  me këngën “Me jep dashuri”.  Kënga e saj “S`po du” u dëgjua mjaft shumë dhe i hapi rrugë që ajo të marrë oferta të shumta nga shtëpi diskografike ndërkombëtare. Një kohë drejtoi emisionin live me titull “Idol sofan” të Televizionit Katër në Suedi”.  Saranda është prezantuar në shumë koncerte në Suedi e shtete tjera. Kudo ka shkëlqyer duke rritur numrin e adhuruesve  dhe admirimin  për interpretimin e saj muzikor. Saranda përpiqet gjithmonë që të kënaq adhuruesit e vet.

Vidoklipi “Hos mej” –“Tek unë”

Para tri dite doli këtu në Suedi klipi më i ri i Saranda Hasanit me titull në suedisht “Hos mej”(“Tek unë”).  Saranda në këtë projekt ka bashkëpunuar me njërin ndër reperët më të njohur në Suedi  Finess, ndërkaq  kënga është punuar më mjeshtëri nga producenti Matte Caliste dhe produkcioni i tij “Statsbild”. Tekstin e këngës e krijuan këngëtarët Saranda dhe Finess. Ky videoklip është i pari në suedisht për këngëtaren tonë. Kënga ka për subjekt një histori dashurie që nis të marrë rrugën e ndarjes. Relacionin dashuror, tashmë të shprishur  e sjellin të kënduar bukur këngëtarja Hasani dhe reperi i njohur Finess. Ky videoklip i mirëpritur nga shtypi e kritika suedeze është fillim i mbarë për vajzën shqiptare me vokal  të bukur e të fuqishëm muzikor. 

Helsingborg , Suedi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat