Themelimi i Ushtrisë së Kosovës një “Dekoratë Kombëtare”e çdo shqiptari – Ushtria Autoktone Shqiptare

Diaspora

Themelimi i Ushtrisë së Kosovës një “Dekoratë Kombëtare”e çdo shqiptari – Ushtria Autoktone Shqiptare

Nga: Mr. Asc. Nikollë Shabani Më: 16 dhjetor 2018 Në ora: 14:30
Mr. Asc. Nikollë Shabani

Gëzuar vëllezër Kosovarë – Shqiptarë, Malësorë, Çamë, Arbresh dhe vëllezër nga Ilirida dhe mbarë Mërgata shqiptare, themelimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës!

Ushtria e Kosovës në themelin e saj ka shumë burra heronj dhe luftëtarë shqiptarë të cilët e bëjnë krenarë këtë faktor ushtarak në mesin e ushtrive në tërë botën.

Shqiptarët me krijimin e shtetit të tyre të pavarur me 1912, fituan një ushtri të veten, por tri të katërtat (3/4) e territoreve autoktone shqiptare mbeten nën robërinë e Jugosllavisë dhe Greqisë.

Shqipëria e Ymer Prizrenit, Hasan Prishtinës, Luigj Gutakuçit, Fan St. Nolit, Dedë Gjon Lulit, Jakup Ferrit, Isuf Sokolit, Tringa e Smajlit, Isa Boletinit, Shote Galicës, Haxhi Zekës, Azem Bejtës, Xhemë Gostivarit, Marko Boçarit, Bobulinës si dhe shumë e shumë luftëtarëve tjerë shqiptarë, mbeti një nisëm e pa përfunduar, por e cila me pavarësimin e Kosovës, veçanërisht nga data 14 dhjetor 2018 me themelimin e Ushtrisë së Kosovës, po realizohet ëndrra shekullore e gjithë heronjve dhe brezave shqiptare për ta pasur ushtrinë kombëtare për t’i mbrojtur tëra tokat tona arbërore.   

Image

Urime Ushtrinë e Kosovës nga Kulla e Dedë Gjon Lulit, Malësi e Madhe, Foto e bërë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë (05.04.2011). Në foto; burra nga Malësia, Kosova dhe Mërgata, në mes i ulur Murat Jashari, Nikollë Shabani, Isa Shala, Tahir Tahiri, etj., derisa në panelin e shoqëruar me Flamurin amerikan shqiptarë nga viset tona etnike.

Personalisht emërtimin “Ushtria e Kosovës e hasa në vitin 1981, kur po bëhesha gati për t’u regjistruar si student në Universitetin e Prishtinës (UP), kur babai im më tha: „Këto studime i ke edhe si shërbim ushtarak kombëtar. Në Kosovë do mësosh në praktikë se si ta duash dhe ta mbrosh atdheun“. Shumë herë që nga ajo kohë e kuptova rëndësinë e atyre fjalëve që m’i tha prindi im, të cilat sot me themelimin e Ushtrisë së Kosovës u bënë realitet.

 

Unë i takoj brezit të studentëve të cilët në Prishtinë vinim nga mbarë trevat arbërore, nga Ulqini, Tivari, Malësia, Plavë e Gusi, Shkupi, Komanova, Tetova, Struga, Presheva, Bujanoci, Novi Pazari, etj., për të studiuar në Kosovë, kështu që studentet shqiptarë në UP-së, si para ashtu dhe pas 1981-tës ishin dhe mbeten ushtaret më të denjë të ushtrisë sonë e cila u formua para dy ditëve.    

Parlament i Republikës së Kosovës, Qeveri e Kosovës, President i Kosovës na e krijoni mundësinë të gjithë neve të shërbejmë në radhët  e Ushtrisë së Kosovë. Urime Ushtrinë e dytë shqiptare e cila në parimin e saj përherë e pati mbrojtjen e kombit shqiptar, e cila tani e tutje do jetë krah i fortë i forcave ushtarake të Nato-s..!!

Image

Në vizitë te presidenti i parë dhe komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Në foto; presidenti Ibrahim Rugova, Delegacioni i asociacionit të intelektualëve në mërgim; Nikollë Shabani, kryetar, Rexhep Elezaj, sekretar, Shaban Bushati, ushtarak, Mal Myrtaj, Brahim Nikçi, miku gjerman Michael Konrad, dhe shefi i sigurimit të presidentit, Elez Nikçi (gusht 2000).

Ushtria e Kosovës u bë forcë ushtarake nëpër beteja të përgjakura, u kalitë nëpër beteja dhe fitore, u betua në flamur mbi gjakun e bijve dhe bijave të kombit, u ndërtua mbi amanetin e heronjve të cilët dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me vise.

Image

Ushtria e Kosovës u sendërtua në luftën e fundit çlirimtare, të cilën e përjetësuan heronjtë legjendarë, komandantët heroik si Adem dhe Hamëz Jashari, Femi e Xheve Lladrovci, Sali Çekaj, Agim Ramadani, Agim Qelaj, Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, vëllezërit Bytyçi, Mehë Uka, Mujë Krasniqi me 41 ushtarë të UÇK-së që u flijuan mu në datën e sodit të themelimit tënd, me 14 Dhjetor 1998 para 20 viteve si dhe shumë e shumë djem dhe vajza shqiptare nga mbarë trevat etnike.

Neve si shoqatë e intelektualeve e ndihmuam regrutimin dhe pajisjen e djemve trima nga mërgata jonë nga të gjitha trevat tona etnike pa dallim, si dhe përcjelljen e tyre për në front të luftës në Kosovë nga qendra “ilegale” e mërgatës tonë me seli në  Klubin“Aleksander Mojsiu“ në Shtutgart. Unë personalisht e kryesova Shtabin Emergjent për luftën në Kosovë me qendër në Ludwigshafen, dhe ashtu siç luftuam për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ashtu duam edhe ne nga trevat tona në Mal të Zi të jemi pjesëtar në shërbim të Forcave të armatosura të Republikës së Kosovës. Ashtu njëjtë kur nga SHBA-të mbërritën forcat e Atlantikut me vëllezërit Bytyçi, me ushtarët Nikollë Junçaj dhe shumë të tjerë. Prandaj apelojmë që kriteri i pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse në shërbim të Ushtrisë së Kosovës të hynë në ligjin e mbrojtjes popullore. Ngase, të gjithë shqiptarët që jetojnë në viset tona etnike jashtë shtetit të Kosovës, qofshin në mërgatë apo kudo tjetër, themelimin e Ushtrisë së Kosovës e ndjejnë si ushtri të veten, si një dekoratë kombëtare të përbashkët!

Ne mërgimtaret në Gjermani ndjehemi tepër të privilegjuar që shteti mik gjerman është i pari vend pas SHBA-së i cili na përgëzoi për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe faktikisht po gëzohet bashkë me neve. Shteti gjerman na mundësoi që ndihmat e para të tubohen këtu për të përndjekurit nga Kosova, nga ky shtet i dërguam ushtarët e parë në frontin luftarak të betejave në Kosovë, që shumë prej tyre ranë trimërisht në altarin e lirisë.

Image

Urime dhe gëzuar Ushtrinë e Kosovës nga Intelektualet Shqiptarë nga Malësia, Ulqini e Tivari. Në foto: Lazer Lazri, Shtjefen Toma, Zef Kovaci, Leze Lazri, Bashkim Selmani, Bahri Brisku, Altin Shegani, Nikollë Shabani, Sajmir Fekolli, Gjergj Pepgjoni, Ozana Stanaj, Andri Simoni, Luviç Pashuku- Zadrima, Cyl Shabani, M. Shegani, Vasel Sinishtaj.

Rrënofsh për jetë Ushtri e Kosovës!

Zoti e bekoftë Ushtrinë e Republikës së Kosovës për jetë e mot!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat