Kujdes, dietat me bazë frutat mund të jenë të dëmshme për ju

Dieta

Kujdes, dietat me bazë frutat mund të jenë të dëmshme për ju

Më: 28 gusht 2021 Në ora: 10:35
Ilustrim

Dietat me bazë bimore, janë bërë gjithnjë e më popullore vitet e fundit, si për arsye shëndetësore, ashtu edhe për arsye etike. Një formë ekstreme e dietës me bazë bimore është “frutarianizmi”, një dietë e bazuar kryesisht në konsumin e frutave të papërpunuara.

Në pamje të parë, kjo lloj diete mund të tingëllojë e shëndetshme. Por çfarë efekti ka realisht në trupin e njeriut? Dhe a është zgjedhje e një diete të shëndetshme? Në përgjithësi ka plot dëshmi se dietat me bazë bimore janë të mira për trupin.

Kjo pasi ato mund të zvogëlojnë me 40 për qind rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe me 29 për qind rrezikun e goditjes në tru. Po ashtu dietat me bazë bimore janë një strategji e dobishme për t’i ndihmuar njerëzit të bien në peshë.

Ndërsa dietat me bazë bimore kanë përfitime të qarta për qëndrueshmërinë e shëndetit dhe mjedisit, frutarianizmi është një nga dietat më kufizuese në dispozicion, dhe nuk ka gati asnjë dëshmi që të mbështesë përfitimet shëndetësore.

Bashkëthemeluesi i kompanisë “Apple”, Stiv Xhobs, eksperimentoi me një dietë vetëm me fruta, duke e plotësuar atë me arra, fara dhe drithëra. Disa adhurues të frutarianizmit i përmbahen rregullit 80-10-10:pra 80 për qindtë kalorive vijnë nga frutat dhe perimet e freskëta, 10 për qind nga proteina dhe 10 për qind nga yndyrnat.

Ky rregull bazohet gabimisht në besimin se njerëzit nuk janë gjithë-ngrënës (omnivorë), por “frugivorë”, specie që preferojnë të hanë fruta të papërpunuara. Përkrahësit e këtij besimi, thonë se sistemi tretës i njeriut është i krijuar fiziologjikisht për të tretur fruta dhe perime të papërpunuara.

Ndërsa kjo mund të ketë qenë dikur e vërtetë, fakt është se trupi i njeriut ka evoluar. Disa përkrahës të këtyre dietave,pohojnë se ato kanë sjellë përfitime të dukshme, përfshirë kurimin e kancerit dhe eliminimin e fryrjes apo aromave të këqija të trupit. Në fakt nuk ka asnjë provë të fortë për t’i mbështetur këto pretendime.

Ideja e pasjes së një diete vetëm me fruta (ose me fruta të papërpunuara) mund të duket në pamje të parë si një opsion i shëndetshëm. Por ajo bart potencialisht shumë probleme.

Ndjekja e këtij modeli ngrënie, përjashton grupet ushqimore thelbësore dhe lëndët ushqyese që i duhen trupit për të ruajtur shëndetin normal.

Ndërsa shumica e frutave konsiderohet të jenë të shëndetshme dhe ushqyese, një dietë e mbështetur vetëm tek frutat do të jetë e mangët në lëndë ushqyese, përfshirë proteinat, hekurin, kalciumin, vitaminën B (përfshirë vitaminën B12) dhe vitaminën D, zinkun dhe acidet yndyrore Omega-3.

Mungesa e këtyre lëndëve ushqyese, mund të shkaktojë pasoja serioze shëndetësore, përfshirë rakitizmin dhe osteomalacinë (zbutjen e kockave), aneminë dhe probleme me kockat, muskujt dhe lëkurën. Thënë thjesht: frutat nuk përmbajnë të gjitha lëndët ushqyese që i nevojiten trupit.

Ndërkohë, duhet të kihen parasysh edhe nivelet e larta të fruktozës. Fruktoza është një sheqer i thjeshtë, ashtu si glukoza, por trupi i njeriut e përpunon atë shumë ndryshe. Fruktoza metabolizohet vetëm në mëlçi. Ndaj konsumimi i tepërt i fruktozës mund të shkaktojë grumbullimin e yndyrës në mëlçi, duke çuar në rezistencën ndaj insulinës në mëlçi dhe në sëmundje të mëlçisë yndyrore jo-alkoolike.

Përtej efekteve të mundshme fizike të frutarizmit, dietat e bazuara kryesisht vetëm tek frutat, shoqërohen shpesh me një çrregullim të ngrënies të njohur si ortoreksia nervoza, një fiksim i pashëndetshëm për të ngrënë vetëm ushqim “të pastër”.

Dhe kjo do të thotë se ajo që mund të fillojë si një lëvizje e shëndetshme drejt ngrënies së më shumë frutave dhe perimeve, dhe më pak ushqimeve të gatshme,por mund të çojë në një çrregullim të ngrënies, depresion dhe ankth. Ka pasur raste edhe pse të izoluara të vdekjeve nga një dietë e tillë.

Shembujt përfshijnë një vajzë 9-muajshe që vdiq pasi ishte ushqyer me një dietë vetëm me fruta. Ajo ndërroi jetë pasi ishte shumë nën peshë dhe e keq-ushqyer. Ndërkohë, një burrë 49-vjeçar u raportua se kishte zhvilluar demencë të kthyeshme pasi kishte zbatuar një dietë ushqimore vetëm me fruta. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat