Shqiptarët ende vijojnë të vriten për politikën, rasti i fundit në Durrës

Durrësi

Shqiptarët ende vijojnë të vriten për politikën, rasti i fundit në Durrës

Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 15:18
Pamje nga video

Policia e Durrësit ka zbuluar se vrasja në zonën e ish-Kënetës ka ndodhur pas një sherri që dy bashkëfshatarët kanë bërë për zhvillimet e fundit të politikës.

Ata kanë qenë duke pirë alkool dhe më pas janë rrahur, duke përfunduar deri në vrasje.

Duke pirë raki, fillimisht janë zënë për zhvillimet e fundit politike. Më pas debati është personalizuar dhe viktima e autori kanë nisur të fyejnë njëri-tjetrin. 

Kjo është ajo çfarë ka zbuluar grupi hetimor për vrasjen e Martin Ndrecës në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ngjarje kjo pas mesnatës së të dielës.

Dëshmitarët kanë treguar në polici se viktima Ndreca dhe autori 37-vjeçar Ndue Zefi për dy orë pas krimit ishin në një tavolinë duke pirë. 

Debati verbal u pasua me përleshje fizike. Për t’i ndarë hynë të pranishmit që ishin në lokal. Ky ka qenë momenti kur 47-vjeçari vendosi të largohej për në shtëpi.

Por shoku i tij pati tjetër qëllim. Jo për të sheshuar sherrin ditën tjetër, por për t’i larë hesapet me armë. Vetëm pak metra nga lokali, ai mori automatikun në banesë.

I del para makinës së Martin Ndrecës dhe qëllon ndaj tij pesë herë dhe e lë të vdekur në vend. Errësira e ka ndihmuar që me armë në dorë Ndue Zefi të largohej nga vendi i ngjarjes. 

Policia vazhdon ta kërkojë. Kontrolle të shumta janë bërë në zonë, në banesa e lokale, por pa rezultat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat