Durrës, gratë në protestë për 8 Marsin: Ndalni dhunën!

Durrësi

Durrës, gratë në protestë për 8 Marsin: Ndalni dhunën!

Më: 8 mars 2019 Në ora: 11:49
Foto

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave, Shoqata e Grave me Probleme Sociale, Koalicioni “Gratë Paqe Siguri”, Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare, Qendra Konsumatorit Shqipëtar dhe Shoqata Gruaja në Fokus, organizojnë në datë 8 mars në qytetin e Durrësit një protestë/marshim paqësor me qëllim ndërgjësimin e opinionit publik mbi të drejtat e grave. Viti 2019 hyri i përgjakur, ku vetëm në 45 ditët e para të këtij viti janë vrarë 6 gra.

Këto ngjarje përbëjnë një “alarm” të fortë për të gjithë ne përsa i përket nivelit të lartë të dhunës dhe abuzimit më të cilën përballen vajzat dhe gratë shqipëtare. Aktet e dhunës cënojnë një varg të drejtash dhe lirish themelore, përfshirë të drejtën për paprekshmëri mendore, fizike si dhe sigurinë e personit. Vrasja përfaqëson formën më ekstreme të dhunës ndaj grave. Përdorimi i dhunës si një mjet kontrolli dhe ndëshkimi, shoqëruar me aksesin e lehtë ndaj armëve të zjarrit në Shqipëri, bën që rreziku i vrasjes së vajzave dhe grave të jetë përpjesëtueshmërisht alarmant. Qyteti i Durrësit renditet i pari në rang vendi për dhunën në familje, prandaj ne duhet të bashkohemi për të luftuar këtë fenomen që vijon të jetë plagë e shoqërisë tonë dhe të sjellë viktima të panumërta. Të gjithë së bashku duhet të ngremë zërin, të mos heshtim përballë dhunës dhe të ndihmojmë ato vajza dhe gra të dalin prej errësirës ku janë futur. Ndonëse ligjet për mbrojtjen ekzistojnë, gratë dhe vajzat shqiptare nuk arrijnë ta ndjejnë këtë mbrojtje në përditshmërinë e tyre, ku dhuna në familje vazhdon ende të mos konsiderohet vepër e rëndë penale, ku drejtohen të bëjnë një denoncim dhe këshillohen të rikthehen tek dhunuesi ose ku dhunuesi shkel urdhërin e mbrojtjes dhe masat ndaj tij janë të papërfillshme. Ne kërkojmë mosneglizhimin e asnjë çështjeje që ka lidhje me dhunën në familje apo abuzimin seksual, vendosjen përpara drejtësisë të dhunuesit dhe trajtim të detyrueshëm terapeutik për secilin prej tyre si dhe që dinjiteti njerëzor i vajzave dhe i grave shqiptare të mos cënohet më. Listuar më poshtë të përkthyer në shifra paraqesim dhunën në familje për vitin që lamë pas:

3690 raste ose 73.4% e numrit total të viktimave të dhunës kanë qënë gra/vajza ndërsa 1343 ose 26.6% janë burra. Viktimat janë bashkëshorte, motra, kunata, nëna, bija dhe numri i madh i tyre tregon qartë për ndikimin gjinor të dhunës. Bashkëshorte të dëmtuara nga dhuna janë 1801 ose rreth 35.7% të numrit total të viktimave të dhunës në familje, ose rreth 48.8% e numrit total të grave/vajzave të dëmtuara nga dhuna në familje. 148 raste të shkeljeve të Urdhrave të Mbrojtjes, ose 19 raste me shumë se gjatë vitit 2017, ku u evidentuan 129raste. 11 vrasje në familje (përfshirë një foshnje e vrarë) dhe 20 viktima kanë humbur jetën. Ky 8 Mars i përket të gjitha vajzave dhe grave që u përballen me dhunën dhe heshtën, atyre që përballën me vrasësin dhe nuk ia dolën, atyre që nuk u mbrojtën dot dhe atyre që nuk arritën t’i mbronim dot. Ky 8 Mars është i vajzave dhe grave që çdo ditë luftojnë një betejë me pasiguritë e veta, me burokracitë institucionale, me autoritetin brenda familjes, me autoritetin në vendin e punës, me gjykimet dhe paragjykimet e shoqërisë, me kufizimet dhe pengesat e pafundme. Ky 8 Mars është i vajzave dhe grave që mbështësin njëra-tjetrën, i atyre që me guxim dhe dinjitet jetojnë dhe janë model force dhe frymëzimi për vajzat dhe djemtë e tyre dhe për të gjithë shoqërinë.

Reagimi ynë është thelbësor për t’u çuar measazhin e duhur atyre që sot janë duke përjetuar dhunë. Nuk mund dhe nuk duhet të heshtin përpara gjithë kësaj dhune dhe ne sot më të vendosur se kurrë marshojmë për t’i bërë thirrje të gjitha institucioneve se duhet një reagim i fortë dhe i koordinuar për t’i dhënë fund këtij revanshi abuzimesh dhe vrasjesh. Ne sot marshojmë duke mbajtur zi për heshtjen institucionaleqë po u bëhet këtyre vrasjeve të njëpasnjëshme! Në sot marshojmë për t’ju çuar measazhin e duhur atyre që janë duke përjetuar dhunë që nuk mund dhe nuk duhet të heshtin më!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat