Anija franceze minaheqëse/minakërkuese vizitë portuale në Durrës

Durrësi

Anija franceze minaheqëse/minakërkuese vizitë portuale në Durrës

Më: 8 prill 2019 Në ora: 21:31

Në vazhdimësi të bashkëpunimit dypalësh me Forcën Detare të Francës për vitin 2019, nga data 06 deri më datë 09 prill anija franceze minaheqëse – minakërkuese CMT Lyre (M 648) do të qëndrojë e ankoruar në Portin Detar të Durrësit.

Anija franceze në port u prit nga komandanti i Grupit të Dytë të anijeve të Forcës Detare, kapiten i rangut III Blerim Hoxha, atasheu ushtarak francez, kolonel Fabrice Duda, kuadro të Forcës Detare si dhe personel i Ambasadës franceze në vendin tonë.

Kjo vizitë ofron një mundësi për trajnimin e personelit sipas standardeve të NATO-s, kryesisht në komunikimin dhe manovrimin e përbashkët. Ardhja e anijes ndihmon edhe për marrje eksperience në kuadër të objektivit të kapaciteteve “Qendra e menaxhimit të luftës kundër minave”. Personeli i Shërbimit Hidrografik, që është përgjegjës për këtë objektiv, zhvilloi një vizitë në bordin e anijes franceze, ku pa nga afër ndërtimin dhe përdorimin e aparaturave që përdoren për këtë qëllim.

Komandanti i anijes franceze, major François Xavier Poisson dhe atasheu ushtarak francez, kolonel Fabrice Duda zhvilluan një vizitë në komandën e Forcës Detare, ku u pritën nga shefi i Shtabit, kapiten i rangut II Sabri Gjinollari. Kapiten i rangut II Gjinollari u uroi mirëseardhjen dhe i falënderoi për bashkëpunimin midis dy forcave detare. Gjatë ditës së sotme zhvilluan edhe një takim me prefektin e Durrësit Roland Nasto, i cili i njohu me zhvillimin e Qarkut, burimet ekonomike dhe pasuritë turistike të Durrësit si dhe me rëndësinë e portit detar në këtë drejtim.

Mëngjesin e datës nëntë prill anija franceze, e shoqëruar nga anije të Forcës Detare do të largohet nga Porti i Durrësit për t’u zhvendosur në Gjirin e Vlorës ku do të zhvillohet një stërvitje nënujore me zhytës nga të dy vendet. Anija CMT Lyre (M 648) do të lërë ujërat shqiptare në mesditë pas përfundimit të stërvitjes. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat