Mbyllet protesta në Durrës, Kryemadhi: Nuk do të ndalemi

Durrësi

Mbyllet protesta në Durrës, Kryemadhi: Nuk do të ndalemi

Beqir Sina Nga Beqir Sina Më 26 prill 2019 Në ora: 09:03
Monika Kryemadhi

19:00 – Pasi ka protestuar rreth 1 orë, opozita e bashkuar ka përmbyllur protestën në Durrës. Protestuesit përgjatë protestës kanë hedhur flakadanë në rrugë dhe kanë bllokuar akset kryesore.

Kështu, autostrada më e madhe në vend, ajo që lidh Tiranën me Durrësin u bllokua për rreth 1 orë dhe asnjë makinë nuk është lejuar të lëvizë. Gjithashtu, u bllokua autostrada që lidh Durrësin me Kavajën, në vendin e njohur si “Plepat”.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në fjalën e saj deklaroi se zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë. Kryemadhi theksoi se mosbindja civile qytetare ndaj kësaj qeverie, sipas saj të kriminalizuar, do të vazhdojë.

18:50 – Opozita e bashkuar ka bllokuar sot për 1 orë akset kryesore në vend, mes tyre edhe autostradën Tiranë – Durrës. Asnjë makinë nuk po lëviz në autostradën kryesore në Shqipëri.

Ndërsa, raportohet se protestuesit kanë hedhur tymuese dhe kanë ndezur flakadanë nëpër rrugë. Nën thirrjet “Rama ik”, protestuesit kanë bllokuar tashmë trafikun tek rreth rrotullimi i Plepave.

18:40 – Opozita e bashkuar vazhdon të protestojë kundër asaj që e konsideron si keqqeverisje të vendit.

Si rrjedhojë e protestës së opozitës në Durrës, është bllokuar autostrada Tiranë – Durrës. Gazetarja Klodiana Haxhiraj raporton për “Balkanweb” se është bllokuar autostrada e se asnjë makinë nuk lëviz nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas.

Në protestë ndodhet kryetarja e LSI Monika Kryemadhi dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi. Kryemadhi tha se zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë dhe se do të përshkallëzohet aksioni qytetar.

“Ka një pjesëmarrje të madhe, kanë ardhur kaq shumë njerëz dhe duke menduar që kjo është një nga rrugët kryesore. Sot Shqipëria merr mesazh dhe shpërndan atë ndjenjë proteste që bëjnë qytetarët në protestat e Tiranës, tashmë shpërndahen në të gjithë Shqipërinë, për të gjithë ata që nuk e kanë mundësinë financiare për të ardhur në protestat që organizohen në Tiranë, sepse pjesa më e madhe ka qenë me qytetarët e kryeqytetit.

Por, ne tashmë do të shpërndahemi në të gjithë Shqipërinë. Nuk do të ndalemi. Befasia ndaj strategjisë që Edi Rama ka ndërtuar me krimin e organizuar për të uzurpuar shqiptarët do të jetë elementi kryesor i protestës së shqiptarëve. Këto nuk janë më protestat e opozitës, këto janë protestat e shqiptarëve. Sot nuk ka rrugë tjetër, o do të jesh me qytetarët, o do të jesh me krimin e organizuar. Zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë. Rama do shohë revoltën e shqiptarëve”, tha Kryemadhi.

18:21 – Siç ishte paralajmëruar më herët, opozita e bashkuar po mban protesta në mbarë vendin. Ata kanë vendosur që të protestojnë, duke bllokuar akset kryesore nacionale.

Njerëzit kanë nisur të mblidhen në aksin Durrës – Kavajë, te vendi i njohur si “Plepat”.

Përpos protestuesve, në protestë janë edhe ish-deputetët demokratë Edi Paloka, Oerd Bylykbashi, Orjola Pampuri, dhe Florion Mima.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat