Kontrolle në portin e Durrësit, shoqërohen 23 persona, gjenden pistoletë dhe vula false

Durrësi

Kontrolle në portin e Durrësit, shoqërohen 23 persona, gjenden pistoletë dhe vula false

Më: 25 tetor 2019 Në ora: 17:14
Foto ilustrim

Policia e Shtetit njofton se ka nisur një plan masash për kontrollin e të gjitha pikave të kalimit kufitar, porteve e aeroportit dhe çdo objekti të rëndësisë së veçantë, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale dhe të paligjshmërisë në tërësi, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë publike

Në zbatim të këtij plani masash, gjatë paradites së sotme, në Portin e Durrësit u zhvillua operacioni “Porti i Pastër”.

Operacioni synon kontrollin e personave në hyrje e dalje, kontrollin e mjeteve, mallrave, të peshkarexhave apo mjeteve të tjera lundruese që përdoren në Portin e Durrësit, si dhe në disiplinimin e qarkullimit të automjeteve.

Në operacion u përfshinë forca nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, Departamenti i Policisë Kriminale, Departamenti i Sigurisë Publike dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

380 forca policore, kryesisht të FLO Tiranë, Shkodër e Fier, ato të Policisë Kriminale, të ‘Shqiponjave’ të DVP Tiranë, Durrës, Elbasan e Fier, të Patrullave të Përgjithshme, Njësia Operacionale e Policisë Rrugore dhe ato të Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës, e të Policisë Kufitare ushtruan kontrolle të imtësishme në të gjithë territorin e Portit. Në operacionin e kontrollit u përdorën edhe 10 qen antidrogë si dhe 2 drone.

U kontrolluan 106 kontejnerë, 65 magazina dhe objekte të ndryshme brenda Portit, dhjetëra mjete lundruese, kryesisht peshkarexha, 345 automjete dhe rreth 770 persona.

Gjatë kontrolleve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 pistoletë zhurmuese, thikë, vula të falsifikuara, targa mjetesh të falsifikuara, dokumente të kundërligjshme, si dhe sasi me cigare kontrabandë.

Policia ka shoqëruar për veprime të mëtejshme 23 persona.

Policia e Shtetit do vijojë kontrollet jo vetëm në pikat e kalimit kufitar, por në të gjitha objektet e rëndësisë së veçantë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme si dhe rritjen e parametrave të sigurisë publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat