Tërmeti në Durrës, qiratë arrijnë gati sa dyfishi i bonusit, të gjithë duan katet e ulëta - Bota Sot
Tërmeti në Durrës, qiratë arrijnë gati sa dyfishi i bonusit, të gjithë duan katet e ulëta

Durrësi

Tërmeti në Durrës, qiratë arrijnë gati sa dyfishi i bonusit, të gjithë duan katet e ulëta

Më: 20 dhjetor 2019 Në ora: 08:57
Ilustrim

Shtëpia e Anilës afër pallatit të Sportit në Durrës u shpall e pabanueshme pas tërmetit.

Fillimisht ajo u vendos tek të afërmit, në një nga fshatrat e Durrësit. Megjithatë këto ditë është kthyer sërish në shtëpinë e saj të pabanueshme, me mure të çara, pasi i dështuan kërkimet për më shumë se dy javë për shtëpi me qira.

Përveçse ishte shumë e vështirë të gjeje një apartament me qira, ajo u përball me çmime shumë të larta, ku për një hyrje 1+1 duhej të paguante një qira mujore prej 300 euro, të cilën nuk mund ta paguante as me bonusin e qirasë dhe as me të ardhurat, rrogën dhe pensionin e dy prindërve. Bonusi i qirasë për 3 persona është 20 mijë lekë në muaj, sipas specifikeve të Bashkisë. Për më tepër, ajo i përket grupit të dytë të të konsideruarve si të pastrehë, listat e të cilëve nuk kanë dalë ende.

Sikurse Anila, edhe shtëpia e Agimit ku jetonte me gruan dhe dy fëmijët, pak më tutje në lagjen 6, doli e pabanueshme. Nën presionin e një kërkese gjithnjë e në rritje për shtëpi me qira në Durrës dhe ofertës së tkurrur, për shkak të numrit të lartë të shtëpive që dolën të pabanueshme, Agimi u detyra që të merrte me qira një shtëpi 2+1, jo shumë larg vendbanimit të mëparshëm, pranë Pallatit të Sportit. Ai do t’i duhet t’i paguajë një qira mujore prej 400 euro pronarit të shtëpisë, ndonëse agjencitë e pasurive të paluajtshme që punojnë në Durrës thonë se çmimi mesatar në atë zonë nuk është më i lartë se 20,000 lekë në muaj. Nga bonusi i qirasë për një shtëpi 2+1, Agimi mund të përfitonte 25 mijë lekë në muaj.

Pas tërmetit të 26 nëntorit ka pasur një kërkesë të shtuar për shtëpi me qira. Shumë qiramarrës po shpërngulen nga zonat periferike ku kanë qenë qiramarrës prej vitesh, siç është zona e Kënetës, dhe kishte qira të ulët, në zonat më pranë qendrës ku qiraja është relativisht më e lartë. Sipas tij kjo, gjithashtu po reflektohet si rritje çmimi.

Duke qenë se është rritur kërkesa kanë ngelur shumë pak shtëpi të lira të pazëna.

çmimet në qendër të Durrësit kanë qenë 200-250 euro, por pas tërmetit kanë mbetur vetëm ofertat e larta.

Këneta zona më e lirë, Vollga më e shtrenjta
Zona e Kënetës shënon edhe ofertat më të lira për sa i përket shtëpive me qira. Agjencitë e pasurive të paluajtshme pohojnë se në këtë zonë çmimet varojnë nga 12,000 deri në 18,000 lekë në muaj.
Në zonat më pranë qendrës, afër Spitalit të Durrësit, tek Stadiumi, apo te pallati i Sportit, qiratë vlerësohen të jenë rreth 20,000 lekë.

Në zonën e qendrës qiratë janë rreth 25,000 lekë.

Në zonën e shëtitores Taulantja, apo siç njihet ndryshe Vollga, çmimet e qirave janë më të lartat në qytet, ku sipas agjencive të pasurive të paluajtshme qiraja mujore varion nga 250 euro deri në 400 euro në varësi edhe të mobilimit të shtëpive. Sikurse pohojnë edhe agjencitë e pasurive të paluajtshme, zona e Currilave ka qenë shumë pak ose aspak e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, fakt që ata e lidhin me terrenin disi më të qëndrueshëm. Po ashtu edhe në zonën e Vilës së Zogut.

85% të kërkesave janë për shtëpi private apo në kate të ulëta
Tërmeti u shoqërua me frikë dhe panik te qytetarët, të cilët kërkojnë patjetër që të vendosen në shtëpi private apo në kate të ulëta. Krenar Bardhi thotë se 85% të kërkesave të reja janë për shtëpi private ose në rast se është pallat nuk duan të banojnë më lartë se kati i katër i një godine. Por nuk kanë munguar as kërkesat për të blerë shtëpi private. Arjan Gjuzi thotë se ka pasur interesim për blerjen e shtëpive private.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat