Zjarr në spitalin e Durrësit, nisin hetimet, sekuestrohen dosjet e rrjetit dhe raportet e mirëmbajtjes

Durrësi

Zjarr në spitalin e Durrësit, nisin hetimet, sekuestrohen dosjet e rrjetit dhe raportet e mirëmbajtjes

Më: 11 janar 2020 Në ora: 10:55
Durrës

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet lidhur me zjarrin që ra në dy pavione të spitalit rajonal të Durrësit pak pas mesnatës së të premtes, 10 janar.

Mësohet se në krye të këtyre hetimeve është prokurorja Pranvera Gruda. Prokuroria ka kërkuar edhe raportin e kolaudimit të bombulave të shuarjes së zjarrit, planin e emergjencës dhe informacion nëse ka apo jo sistem sensorësh për zjarrin.

Ky hetim vjen pas një rasti të përsëritur të kësaj ngjarjeje. Kjo është hera e tretë që spitali i Durrësit përfshihet nga flakët.

Nga flakët u përfshi Pavijoni i Kardiologjisë dhe Nefrologjisë. Në spital ka pasur edhe pacientë të shtruar të cilët fatmirësisht nuk kanë pasur dëmtime shëndetësore.

Menjëherë është bërë evakuimi i personave të shtruar ndërkohë forcat e zjarrfikëses dhe policia ndodhen në vendngjarje për të zbardhur sesi nisi zjarri. Pacientët e shtruar në këto reparte u akomoduan ne ambjentet e tjera.

Spitali i Durrësit nuk ka dalë ende me një informacion zyrtar mbi situatën emergjente të krijuar gjatë orëve të para të ditës së shtunë, ndërsa hetimet pritet të zbardhin më tej incidentin.

Dyshohet se zjarri u shkaktua nga mbingarkesa e rrjetit elektrik nga pajisjet e përdorura për ngrohjen e ambjenteve, forcat e zjarrfikëses dhe Policia ndodhen në vendngjarje.

Më herët Drejtoresha e Spitalit, Nadire Jani, tha se zjarri ka përfshirë kabinën kryesore të energjisë elektrike dhe rrjetin elektrik në gjysmën e spitalit nga kati i parë deri në katin e katërt, duke bërë që gjysma e spitalit të mbetej pa energji.

Sipas drejtoreshës Jani, janë zhvendosur të gjithë pacientët e neurologjisë dhe kirurgjisë, ndërsa 5 prej tyre janë dërguar në Tiranë, pasi kishin nevojë për oksigjenim.

“Zjarri përfshiu kabinën kryesore të energjisë elektrike dhe rrjetin elektrik në gjysmën e spitalit nga kati i parë në të katërt, duke bërë që gjysma e spitalit të mbetej pa energji. Të gjithë pacientët e neurologjisë, kirurgjisë, janë zhvendosur. Ndërsa 5 që kërkonin oksigjenim janë dërguar në Tiranë”, tha drejtoresha e Spitalit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat