Dy pistat ku po hetohet për vrasjen e dyfishtë në Durrës

Durrësi

Dy pistat ku po hetohet për vrasjen e dyfishtë në Durrës

Më: 3 mars 2020 Në ora: 08:56
Foto ilustrim

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmë në Shkozet të Durrësit.

Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e plagëve të marra pasi janë qëlluar me një breshëri automatiku. Ngjarja e rëndë raportohet se ka ndodhur rreth orës 19:00 të mbrëmjes së sotme. Viktimat janë Dorjan Shkoza 35 vjeç dhe Anxhelo Avdia 24 vjeç.

Policia ka krehur gjithë zonën ku ka ndodhur ngjarja. Ndërkohë që një patrullë policie së bashku me FNSH është nisur drejt Rrogozhinës, atje ku është gjendur një makinë e djegur e cila dyshohet se i përket autorëve të ngjarjes.

Abcnews raporton se dy personat që kanë mbetur të vrarë, ishin duke qëndruar në trotuar, pranë tregut të fruta-perimeve, në zonën e Shkozetit, në kohën që një automjet me xhama të zinj, ka kaluar me shpejtësi të ulët, nga ku ka hapur zjarr në drejtim të dy personave.

Me 2 viktimat ishin të pranishëm edhe persona të tjerë, por fatmirësisht nuk është raportuar për të plagosur. Dorjan Shkoza 35 vjeç, ka mbetur i vdekur në vend, pasi ka marrë disa plumba në trup dhe një në kokë, ndërkohë Anxhelo Avdia 24 vjeç ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin e Durrësit.

Pistat hetimore që policia ka ngritur janë dy; përfshirja në trafikun e drogës, prishje e pazareve të drogës, por edhe ndonjë konflikt i mëparshëm, mes viktimave dhe autorëve. Dorjan Shkoza ka në pronësi edhe një pikë servisi makinash në këtë zonë. Policia është duke punuar me grupin hetimor për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat