Me qira në banesa sociale/ Durrës, banorët shpresë që të përfitojnë nga bashkia

Durrësi

Me qira në banesa sociale/ Durrës, banorët shpresë që të përfitojnë nga bashkia

Më: 4 prill 2020 Në ora: 12:13
Durrës

Dhjetëra familje që jetojnë në banesat sociale të qytetit të Durrësit shpresojnë se dikush do t’i ndihmojë.

Pas marrjes së vendimit nga bashkia e Tiranës për faljen e qirasë për muajt në vazhdim, ata presin që dhe bashkia e Durrësit të marrë një vendim të tillë për familjet e varfra të strehuara në këto godina.

– Ja çfarë kisha të keqen nëna jote. Jam pensioniste dhe invalide kam dhe djalin 34 vjeç të paralizuar. Marrim numrat e emergjencës dhe s’na përgjigjet njeri. E. Velias bravo i qoftë që ia ka falur marsin e prillin Tiranës e pamë se ne me lajmet rrimë. Me ato ushqehemi. Pse këta tanët nuk e ulin qiranë se gjynah.

– Bashkia e Durrësit të na falë dy muaj qira, si në Tiranë. Nga kjo që ka ndodhur jemi papunë në shtëpi. Duan të hanë. Ato që kishim i mbaruam. S’kemi më lekë. Ndihmë s’na ka dhënë njeri deri më sot.

– Jemi shumë banorë, kryefamiljarë me njerëz e fëmijë të sëmurë, invalid dhe kjo situatë na gjeti ë papërgatitur dhe me një pension të vogël që marrin njerëzit nuk kalohet muaji. 16-17 mijë lekë pension marr unë dhe 10 mijë lekë paguaj qiranë, 4 mijë e ca lekë shkojnë dritat e 2 mijë lekë uji, pra s’më ngelet asgjë për të kaluar muajin. Asnjeri nuk vjen me na pyet: A ke bukë? A ke ilaçe? Asnjeri. Në lidhje me qiranë e shtëpive u bënë 5 vjet që kemi hyrë këtu, po duke e paguar muaj për muaj nuk na del as për të ngrënë, ndaj këshilli bashkiak, qeveria të mblidhen e të na i falin.

Në këtë zonë ka dhe familje të tjera në nevojë që presin të ndihmohen, pasi kjo situatë u ka ndryshuar krejtësisht jetën. I ka lënë pa punë dhe pa mbështetje.

-Jemi 4 veta. Rrimë aty, pa punë jemi. A duhet të ushqehen? Më parë dilja tek dega, po s’ka punë tani. Punoja në të zezë. Ku t’i gjej të ardhurat? Duhet buka, ushqimet. S’më ka ndihmuar njeri. As nuk i di numrat e bashkisë për të marrë ndihmë. Shkova te polici te dega për lejen, po as ai nuk dinte si të aplikonte me këtë telefon (të thjeshtë), po unë këtë kam.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat