Tentoi të vriste Lulëzim Berishën 15 vite më parë, Gjykata dënon me 16 vite burg Ahmet Ajetin

Durrësi

Tentoi të vriste Lulëzim Berishën 15 vite më parë, Gjykata dënon me 16 vite burg Ahmet Ajetin

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 08:40
Ahmet Ajeti

Gjykata e Durrësit ka dënuar me 16 vite burg Ahmet Ajetin, i akuzuar si personi që do të ekzekutonte 15 vite më parë ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulëzim Berishën. Ajeti fillimisht u dënua nga ish-Gjykata për Krime të Rënda në mungesë me 20 vite burg. Por, pas arrestimit në Itali dhe ekstradimit drejt vendit tonë për të vuajtur dënimin ai kërkoi të rigjykohej, kërkesë e cila u pranua. Dosja ndaj tij fillimisht po rigjykohej nga ish-Krimet e Rënda, por me shkrirjen e këtij institucioni dhe ngritjen e SPAK dosja i kaloi Gjykatës së Durrësit. Pas disa seancave të zhvilluara në këtë gjykatë, ditën e djeshme togat e zeza të qytetit bregdetar dënuan me 24 vite burg Ajetin, por duke qenë se ai u gjykua me gjykim të shkurtuar përfitoi 1/3 e uljes së dënimit duke u dënuar përfundimisht me 16 vite burg. 15 vite më parë, Ajeti tentoi të vrasë në Durrës në një lokal Lulzim Berishën. Ahmet Ajeti dhe Osman Korpuzi u nisën nga Tirana drejt Durrësit me porosi nga dy persona për të vrarë Lul Berishën, por në afërsi të lokalit ai u konfliktua me disa persona të tjerë, ku mbeti edhe vetë i plagosur.

Ja si do e eliminonte shqiptari Berishën

Sipas pretencës së prokurorisë lexuar në seancën gjyqësore ndaj “Bandës së Durrësit”, në tetor të vitit 2011, mësohet që në gusht të 2005, 35-vjeçari lindur në Lipjan/ Kosovë së bashku me Osman Karpuzin, udhëtuan nga Tirana në Durrës për të vrarë Lul Berishën, por atentati dështoi. Sipas organit të akuzës Ahmet Ajetit, 37-vjeçari i lindur në Lipjan është dënuar me 20 vjet burg, pasi tentoi të vrasë në 2005 Lulzim Berishën. Nga hetimet rezultoi se kosovari u pagua plot 80 mijë euro që të zhdukte Lul Berishën bashkë me një person tjetër, por një sherr banal dhe një vetëplagosje mbrëmjen e 30 gushtit 2005 bënë që atentati të dështonte. Referuar dosjes rezulton se në datën 28.08.2005, të gjykuarit Endrit Dokle dhe Dritan Coli, për realizimin e qëllimit të tyre kriminal, për vrasjen e Lulëzim Berishës, pas konflikteve që kishin lindur, midis anëtarëve, dikur të së njëjtës bandë, kanë kontaktuar dhe më pas kanë lidhur marrëveshje, me dy shtetas kosovarë, me Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti. Rezulton se, këta persona, janë takuar në Tiranë dhe u janë treguar të dhëna për të gjykuarin Lulëzim Berisha dhe lëvizjet e tij dhe ata marrin përsipër që ta qëllojnë të gjykuarin Lulëzim Berisha, me armë zjarri, të llojit pistoletë. Më pas, Korpuzi dhe Ajeti, të shoqëruar nga Sardian Sulejmani, janë dërguar në qytetin e Durrësit dhe janë sistemuar në hotelin e Asto Hanxharit. Rezulton se, pas sistemimit të tyre në këtë hotel, të gjykuarve Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti, u janë dhënë dy armë zjarri, tip pistoleta, me silenciator, njëra tip “Zastava” dhe tjetra tip “Uzi”, amerikan. Provohet, gjithashtu se, të gjykuarve Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti, u është dhënë edhe një fotografi e të pandehurit Lulëzim Berisha. Në datën 30. 08. 2005, rreth mesditës, të gjykuarit Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti, të armatosur, janë nisur në drejtim të lokalit, ku, qëndronte zakonisht i gjykuari Lulëzim Berisha, me qëllim vrasjen e tij. Së bashku me ta, ka qenë edhe Sardian Sulejmani, i cili kishte për detyrë, të kujdesej për ta, derisa, të realizonin vrasjen e Lulëzim Berishës. Por, në afërsi të lokalit të shtetasit Lulëzim Berisha, në rrethana jo shumë të qarta, Ahmet Ajeti ka mbetur i plagosur. Rezulton se ai, ka qenë paksa më i veçuar nga dy të tjerët dhe se, në një bar-bufe, ka bërë një sherr banal, është grindur dhe në përpjekje për të nxjerrë armën, e ka shkrepur, pa dashje atë, duke plagosur veten. Ai ka qëlluar edhe një herë në ajër.

Në ndihmë të tij, kanë shkuar Osman Korpuzi e Sardjan Sulejmani, të cilët, i kanë marrë pistoletën. Në vijim Sardjan Sulejmani i ka marrë Osman Korpuzit, dy armët e zjarrit pistoleta dhe është larguar, ndërsa i gjykuarit Osman Korpuzi, ka njoftuar policët e qarkullimit rrugor që po kalonin rastësisht, në rrugë, me qëllim që t’i vinin në ndihmë shokut të tij Ahmet Ajeti, që vazhdonte të ishte i plagosur në hyrjen e një pallati. Ahmet Ajeti, është shoqëruar për në Spitalin Rajonal Durrës dhe nga pyetja e tij, si dhe e Osman Korpuzit, nga ana e policisë gjyqësore, e cila filloi menjëherë veprimet hetimore për ngjarjen, prej këtyre shtetasve, nuk është treguar qëllimi i vërtetë i ardhjes së tyre nga Kosova, duke u justifikuar me arsyen e pushimeve, në plazhin e Durrësit. Ndaj këtyre shtetasve kosovarë, është ushtruar kontroll fizik, nga ana e policisë gjyqësore, prej nga ka rezultuar se, në portofol, i është gjendur një fotografi e të gjykuarit Lulëzim Berisha e mbështjellë, e cila, së bashku me celularin, i janë sekuestruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat