Iku dimri e po vjen vjeshta, familjet që tërmeti i la pa shtëpi, të mbyllura në kontenierë

Durrësi

Iku dimri e po vjen vjeshta, familjet që tërmeti i la pa shtëpi, të mbyllura në kontenierë

Më: 12 korrik 2020 Në ora: 06:11
Durrësi

Dyzet e pesë familje në Manëz të Durrësit vazhdojnë të jetojnë në këta kontenierë që shihni në foto, pasi banesat e tyre u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Temperaturat e larta të korrikut e kanë vështirësuar ndjeshëm jetesën në këto sipërfaqe te ngushta, aq sa një prej banorëve mundohet t’i freskojë ato duke u hedhur ujë.

Ismete Farruku shprehet se banojnë në kontejnerë që nga muaji nëntor. Fillimisht u vendosën në çadra provizore dhe më pas këtu.

Edhe një banore tjetër e mbetur pa shtëpi mundohet t’i shpëtojë vapës së mesditës duke shfrytëzuar hijen në hollin e shkollës.

Gjatë ditëve të fundit IKMT ka shembur shumë ndërtesa në qytezën e Manzës. Të gjithë pallatet e vjetra të ndërtuar që nga koha kur në këtë zonë funksiononte miniera, janë kthyer në gërmadha. Banorët kërkojnë vetëm një gjë: nisjen sa më parë të punimeve për ndërtesat e reja.

Ashtu si Durrësi, edhe Manza  u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Sipas listave të miratuara nga këshilli bashkiak i Durrësit në aplikacionin “Shtëpia ime” kanë aplikuar 257 familje gjithsej, nga të cilat 238 do të shemben dhe 19 kanë nevojë për riforcim.

Po kështu 364 familje të tjera do të përfitojnë nga granti i rikonstruksionit për kategorinë e dëmit DS1, DS2 dhe DS3.

Të gjitha këto janë projeksione. Ajo që familjet kanë shqetësim është: Pas dimrit të akullt, pandemisë mbytëse, verës së sikletshme dhe vjeshtës që vjen për pak javë, do të përballen me një dimër të dytë të kyçur në kontenierë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat