Reshjet e shiut përfshijnë Shqipërinë, përmbytje në Durrës

Durrësi

Reshjet e shiut përfshijnë Shqipërinë, përmbytje në Durrës

Më: 23 shtator 2020 Në ora: 16:52
Foto Ilustrim

Sinoptikanët thonë se shtatori do të mbyllet me shi.

Tashmë kemi hyrë zyrtarisht në vjeshtë, me temperaturë më të ulëta dhe reshje shiu. Por në Durrës, moti me shi ka shkaktuar përmbytje në disa rrugë të qytetit bregdetar.

Për pasojë këmbësorët dhe automjetet patën vështirësi në qarkullim. Situata më problematike u shfaq pranë stacionit të trenit, në rrugën e shëtitores Taulantia, pranë stadiumit Niko Dovana, si dhe në zonat periferike.

Në disa zona të tjera, si Lushnje apo Konispol, reshjet kanë shkaktuar përmbytje dhe probleme në të mbjella për shkak të breshërit.

Sipas sinoptikanëve, i gjithë vendi u përfshi këtë të mërkurë nga reshje shiu, por në qytete si Shkodër, Lezhë apo Gjirokastër ato kanë qenë me intensitet të lartë.

“Kemi patur rënie të vlerave termike duke bërë që maksimumet deri ditën e premte të zbresin në vlerat 28-29 gradë Celsius, ndërsa në fundjavë presim sërish një rënie me 2-3 gradë duke bërë që maksimumet në zonat e ulëta të zbresin në 24-25 gradë Celsius”.

Duke filluar nga e enjtja deri të premten në darkë do të ketë kthjellime të motit, por reshjet do të rifillojnë në fundjavë. Deri në fund të Shtatorit, në çantë duhet të mbani patjetër një çadër pasi ky muaj do të mbyllet me reshje shiu.

“Shtatori pritet që të mbyllet me reshje shiu dhe freskim të motit duke bërë që vlerat këtë 10-ditësh të fundit të muajit Shtator të jenë më afër vlerave normale”.

Temperaturat minimale do të zbresin deri në 9-10 gradë në zonat malore.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat