Një vit nga tërmeti, Prokuroria vijon hetimet: Ekspertiza e hekurit dhe betonit pengon çështjen

Durrësi

Një vit nga tërmeti, Prokuroria vijon hetimet: Ekspertiza e hekurit dhe betonit pengon çështjen

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 17:34
Durrës

Kur po mbushet 1 vit nga tërmeti i 26 Nëntorit, që shkaktoi 51 viktima dhe dëme të mëdha materiale, Prokuroria e Tiranës nuk i ka mbyllur ende hetimet.

Për pasojat që shkaktoi fatkeqësia natyrore, hetuesit bënë përgjegjës inxhinierë, ndërtues, por edhe të zgjedhur vendorë. Por për shkak se nuk ka përfunduar ende ekspertimi i cilësisë së betonit dhe hekurit të përdorur në ndërtim, dosja nuk është mbyllur ende.

Mësohet se për dy inxhinierë të akuzuar për shpërdorim detyre dosja është pushuar, pasi vepra penale është parashkruar, ndërsa për 38 të tjerë hetimet vijojnë në pritje të analizave për cilësinë e materialeve të përdorur për ndërtimin e objekteve.

Sakaq janë veçuar hetimet dhe dosja është dërguar në gjykim për pronarin e një furre buke në Vorë, i cili ndërhyri në katin e parë të një pallati që pësoi dëmtime nga tërmeti. Ai do të përballet në gjykatë me akuzën e ndërtimit të paligjshëm. Ndërsa janë pushur hetimet për pronarin e një klinike dentare në një pallat në Kombinat, pasi nuk janë gjetur shkelje.

Pas dëmtimit të pallateve dhe ndërtesave private në kryeqytet prokuroria nxori 42 urdhër-arreste përfshi ndërtues, inxhinierë dhe ish-kryetarë bashkish.

Pak ditë më parë Prokuroria e Durrësit mbylli hetimet për 16 të akuzuar për pasojat e tërmetit në qytetin bregdetar që shkaktoi 23 viktima. Ata do të hetohen në gjendje të lirë për akuzat e vrasjes nga pakujdesia, shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat