Probleme me furnizimin me ujë të pijshëm në Durrës dhe Shijak, rrëshqitjet e dherave dëmtojnë tubacionet

Durrësi

Probleme me furnizimin me ujë të pijshëm në Durrës dhe Shijak, rrëshqitjet e dherave dëmtojnë tubacionet

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 11:36
Foto ilustrim

Rrëshqitjet e dherave në Durrës dhe Shijak kanë dëmtuar dy tubacionet e ujit të pijshëm, gjë që mund të shkaktojnë probleme në furnizimin me ujë.

Ujësjellës Kanalizime Durrës njofton se nga dita e sotme do të ketë kufizime në furnizimin me ujë për shkak të disa defekteve që kanë ndodhur nga shirat e ditëve të fundit. Stacioni i pompimit në Fushë Krujë që furnizon Shijakun është stakuar, po ashtu edhe stacioni i ri i pompave në Milot që furnizon me ujë qytetin e Durrësit.

Rrëshqitjet e dherave në depon e Shilores në Shijak kanë carë tubacionin DN 40 mm dhe për këtë arsye zona e Shijakut dhe Maminasit nuk po furnizohet me ujë. Rëshqitjet e dherave kanë dëmtuar edhe tubacionin e ri DN 700 mm në kodrën e Ishmit.

Në këto kushte është ndërprerë puna edhe në stacionin e pompave në Milot, nga i cili furnizohet me ujë të pijshëm qyteti i Durrësit dhe një pjesë e fshatrave. Dy brigada po merren me riparimin e defekteve dhe kthimin e situatës në normalitet.

Ndërkohë situata në të gjithë qarkun e Durrësit po shkon drejt përmirësimit. Si pasojë e reshjeve të dy ditëve të fundit, ndodhen nën ujë rreth 140 hektarë tokë bujqësore, kryesisht në fshatin Vadardhë të Sukthit, Katund të Ri të Durrësit, si dhe në Murqinë të Fushë-Krujës. Ujë ka dhe në disa oborre shtëpish, po nuk raportohet për banesa të izoluara.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat