Ja cili është "Llupsi" që rrahu një 25-vjeçar dhe qëlloi me armë në ajër në Shijak

Durrësi

Ja cili është "Llupsi" që rrahu një 25-vjeçar dhe qëlloi me armë në ajër në Shijak

Më: 12 korrik 2021 Në ora: 14:19
Astrit Keçi

Policia e Durrësit vuri sot në pranga një 52-vjeçar, pasi e akuzon atë se pas një sherri për motive banale ka dhunuar një 25-vjeçar, bashkë me dy të afërm të tij, dhe më pas ka nxjerrë armën duke qëlluar në ajër.

Sipas bluve të qytetit bregdetar, ngjarja ka ndodhur në Shijak, ndërsa mësohet se personi i arrestuar është identifikuar si Astrit Keçi, një emër jo pak i njohur për drejtësinë dhe policinë shqiptare.

Reçi, i njohur ndryshe me nofkën "Llupsi" është një emër që e kemi dëgjuar pak kohë më parë, teksa u vu nën shënjestrën e OFL-së për të deklaruar pasurinë.

Ai u arrestua në 14 maj të vitit 2018 nga policia shqiptare pasi kërkohej nga drejtësia italiane për trafik droge.

Keçi në vitin 2006 ishte kthyer në Shqipëri për t’iu shmangur kapjes pas një sërë hetimesh të kryera më 1998 dhe në 2006 si dhe ndaj masave të nxjerra nga autoritetet gjyqësore në Milano dhe Rimini.

Astrit Keçi u akuzua si pjesë e grupit, që konsiderohet si një prej organizatave kryesore të trafikut ndërkombëtar të drogës, sasive të mëdha të heroinës dhe kokainës. Droga është trafikuar në shtete të ndryshme evropiane përmes Italisë, ku përdoreshin kanalet e rajonit Friuli-Venezia-Giulia.

Pas arrestimit, Gjykata e Durrësit vendosi ekstradimin e tij në drejtim të Italisë për të vuajtur dënimin me 30 vjet burg për kryerjen e veprës penale “Organizatë Kriminale me qëllim Trafikimi i lëndëve narkotikëve”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat