Bashkia e Durrësit, LSI bojkoton mbledhjen, PS bashkon votat me PD

Durrësi

Bashkia e Durrësit, LSI bojkoton mbledhjen, PS bashkon votat me PD

Më: 5 qershor 2016 Në ora: 08:27
Keshilli bashkiak

LSI ka bojkotuar mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak të Durrësit, duke mos marrë pjesë në procesin e votimit në disa pikave të rëndësishme që janë miratuar në këtë mbledhje. I vetmi përfaqësues i LSI-së ka qenë Armand Traga sekretar i Këshillit Bashkiak. Burime zyrtare nga lSI kanë bërë të ditur për “Shekullin” se ka qenë një vendim grupi i LSI-së për të mos marrë pjesë në këtë mbledhje, pa dhënë detaje për arsyet që kushtëzuan këtë vendim.

Ndërkohë, burime konfidenciale brenda këshilltarëve të lSI-së në Durrës kanë bërë të ditur se shkaku për këtë vendim radikal ka qenë mosmbajtja e disa premtimeve paraelektorale nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në lidhje me pozicionimin e përfaqësuesve të lSI-së në administratën dhe ndërmarrjet e bashkisë së Durrësit. Bojkoti ka qenë gjithashtu një paralajmërim se vota e lSI-së mund të shkojë dhe kundër, nëse do të vazhdojë kjo lloj situate.

Në kushtet e mungesës së lSI-së si rrallë herë në këtë mandat, përfaqësuesit e këshilltarëve të PSsë dhe PD-së kanë bashkuar votat për disa prej vendimeve të rëndësishme që janë miratuar. Ndër vendimet e marra nga këshilli bashkiak kanë qenë: 1- Miratimi i listës së përfituesve të banesave sociale për 126 apartamente në lagjen nr 17; 2-Miratimi i fondit prej 4,9 milionë lekësh për kryerjen e punimeve emergjente në zonën ku ka rrëshqitje në Kodrën Vilë; 3-Miratimi i sistemit të tarifave për plazhet private në njësitë vendore Durrës. Subjektet në plazhin e Durrësit dhe në Shkëmbin e Kavajës do të paguajnë 500 lekë për metër katror, ndërsa në plazhet e Rrushkullit, Lalëzit nga 200 lekë metri katror dhe vetëm 100 lekë metri katror për plazhet private.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat