Historia e trishtë e dy binjakeve nga Durrësi që vuajnë nga një sëmundje e rrallë

Durrësi

Historia e trishtë e dy binjakeve nga Durrësi që vuajnë nga një sëmundje e rrallë

Më: 17 dhjetor 2016 Në ora: 23:42
Suada dhe Sueda

Fëmijët janë arsyeja e të jetuarit për çdo prind, dëshira e të cilëve është që t’i shikojnë të rriten të shëndetshëm dhe të lumtur.

E njëjta gjë vlen edhe për dy prindër që kontaktuan “Dua të të bëj të lumtur”, të cilët dëshironin të bënin diçka për të ndihmuar dy vajzat e tyre, që për fat të keq kanë lindur me një sëmundje. Për të kuptuar më mirë, le ta tregojme këtë histori nga fillimi.

Suada dhe Sueda jane dy motra binjake që lindën në vitin 2006 në qytetin e Durrësit dhe jetojnë së bashku me prindërit dhe vëllain Armandon. Prindërit ishin shumë të lumtur, sepse pas djalit të tyre Armandos, vetëm 2 vjeç, ata gjithmonë kishin shpresuar që të kishin fëmijë të tjerë dhe duket sikur Zoti e dëgjoi lutjen e tyre dhe u solli këtë dhuratë kaq të bukur; dy vajza, të cilat lindën të shëndetshme.

Por pas disa muajsh, prindërit fillojnë të kuptojnë që diçka nuk shkon me vogëlushet e tyre. Ata panë që Sueda dhe Suada nuk ishin si të gjithë fëmijët e tjerë, prandaj vendosën t’i çojnë në spital për të bërë disa vizita. Por doktorët nuk kishin një përgjigje.

Ermira dhe Arbeni i kërkojnë ndihmë një shoqate, Qendra Kristiane në Durrës, e cila i ndihmoi duke mbuluar të gjitha shpenzimet që Suada dhe Sueda të shkonin në Gjermani për të bërë një vizitë mjekësore, që më në fund të kuptonin se nga çfarë po vuanin. Aty, doktorët ju shpjeguan prindërve se vajzat e tyre vuanin nga një sëmundje e quajtur “Osteogjeneza Imperfecta”. 

Kjo është një sëmundje shumë e rrallë, një çrregullim gjenetik që prek kockat. Personat e prekur nga kjo sëmundje vuajnë nga brishtësia e kockave, që do të thotë se ato mund të thyhen edhe nga lëvizjet më të vogla. Ata ndjejnë vazhdimisht lodhje dhe dhimbje të gjymtyrëve, prandaj nuk mund të ecin.  

Për Ermirën dhe Arbenin ishte tronditëse të zbulonin diçka të tillë, që vajzat e tyre do të vuanin gjithë jetën nga kjo sëmundje. Nuk ishte e lehtë të përballonin një lajm të tillë. Doktorët u detyruan t’i jepnin qetësues Ermirës, sepse tronditja ishte e madhe, ndërsa Arbeni, ashtu si të gjithë baballarët përpiqet që të jetë i fortë për familjen, edhe pse zemra e tij në atë moment u nda në dysh. 

Vajzat e tyre nuk do të ishin asnjëherë si fëmijët e tjerë. Ato nuk do të ecnin dot vetë, nuk do  të luanin me fëmijët e tjerë.

Por nuk mund të dorëzoheshin, prandaj mblodhën të gjitha forcat për këta 3 fëmijë që i donin aq shumë. Fati ndoshta u kishte vendosur këtë problematikë në trup, por jo në mendje. Suada dhe Sueda janë vajza shumë të zgjuara, me një vullnet dhe dëshirë të madhe për të jetuar dhe për të mësuar. 

Ato shkojnë në shkollë çdo ditë, edhe pse me shumë vështirësi, sepse klima dhe infrastruktura e keqe shpesh i pengon.

Prindërit i çojnë në shkollë me karrocë. Edhe kur ka shi apo ngrica, në ditët me temperatura shumë të ulta, ata nuk gjejnë dot një zgjidhje tjeter. I mbulojnë vajzat e tyre me mushama dhe i çojnë. Nuk mund të përdorin autobuzin sepse trupi i tyre është shumë delikat dhe mund të pësojnë thyerje të kockave në çdo moment.

Jeta që ato po jetojnë nuk është e lehtë. Që kur kanë qenë të vogla u janë nënshtruar shumë operacioneve sepse krahët dhe këmbët u thyhen shumë shpesh. Një herë që ka qenë duke shkruajtur detyrat e shkollës, Suadës i është thyer krahu. Por, këtë dhimbje ato e ndjejnë çdo ditë dhe për prindërit tashmë është shumë e vështirë që t’i çojnë në spital, sepse vajzat nuk duan të shkojnë më, nuk duan të bëjnë më vizita mjekësore dhe nuk duan të marrin më ilaçe. 

Ato janë ende të vogla dhe nuk e dinë mirë se çfarë problemi kanë. Prindërit gjithmonë u thonë se shumë shpejt do të mund të ecin dhe të lëvizin pa patur frikë. 

Për prindërit e tyre kjo gjë nuk është aspak e lehtë, si psikologjikisht ashtu edhe ekonomikisht. E  vetmja ndihmë që marrin është KEMP-i për vajzat, të cilin e përdorin vetëm për t’u ushqyer dhe për të paguar mjekimin e tyre. 

Familja Ibra ka hasur shumë vështirësi, por ata nuk e braktisën njëri-tjetrin që në momentin e parë që jeta i përballi me këtë sfidë dhe nuk do ta bëjnë as në të ardhmen, sepse së bashku gjejnë forcën për të përballuar gjithçka.

Stafi i emisionit “Dua të të bëj të lumtur” u ka ardhur në ndihmë prindërve të dy vajzave, duke u vënë në dispozicion një makinë për transportin e tyre për në shkollë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat