Njihuni me punimet e “babait” të skulpturës durrsake

Durrësi

Njihuni me punimet e “babait” të skulpturës durrsake

Më: 1 janar 2017 Në ora: 10:04
Skulptori Qazim Kërtusha

Prej gati 30 vjetësh pjesën më të madhe të kohës e kalon aty, duke krijuar punime sa modern aq edhe futuriste, pse jo edhe të pakuptueshme nga masa. Aleksandër Moisiu i tij, është në një shesh në Vjenë, ashtu sikurse Xhon Lenoni në Durrës. Punimet e tij janë në sheshet kryesore të qytetit të Durrësit, ndërsa të tjera presin që të realizohen.

Është skulptori Qazim Kërtusha, që pa frikë mund të quhet “babai” i skulpturës durrsake, për mjeshtërinë e tij, për pasionin, për talentin, për pasqyrimin realist, modern, inovativ të veprave të tij.

“DurrësLajm” ka hyrë në studion e artistit, duke parë nga afër veprat e tij, prej diplomimit në universitet, e deri te veprat që ka në dorë me të cilat po konkurron.

Është tërësisht antikonformist, me punën e tij nuk bën lëshime, është aq kokëfortë tek ajo çfarë kërkon si fillim nga vetja, deri te realizimi i fundit i bocetit.

Dëshmitar i jetës në 6 dekada në Durrës, ish-nxënës i arkeologut të madh Vangjel Toçi, një skulptor i pakompromis e vizionar, Qazim Kërtusha na rrëfen të gjithë historinë e jetës së tij, nëpërmjet punimeve në studio.  

Një skulptor pa bashkëpunimin e arkitektëve nuk mund të ecë përpara. Në studion e tij, janë të gjitha, prej punimeve të para e deri tek ato që presin të shfaqen.

Është autor i disa ekspozitave personale e me bashkëpunëtore. Është autor i një ekspozite të veçantë të hapur në qytetin tonë, atëherë kur të gjithë arratiseshin nga vendi.

Në 1997-n e largët pati guximin që të ekspozonte punimet e tij pranë Torrës Veneciane, për të treguar se edhe në kohë lufte, arti është triumfues. 

Në studion e tij punimet paraqesin jetën e këtij qyteti. Janë disa punime të frymëzuara nga eksodi i madh i vititi 1991, atëherë kur mijëra shqiptarë braktisën atdheun nga porti i Durrësit në kërkim të lirisë. Projekti për ta monumentalizuar këtë ngjarje të madhe në historinë tonë, është aty, por nga ana e krerëve bashkiakë ka munguar vizioni për të formëzuar  në objekte ngjarjet që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në memorien e qytetarëve durrsakë e jo vetëm, nëpërmjet veprave të artit.

Kërtusha është një nga pionierët e skulpturës së parkut në Durrës qysh para viteve 1990, sikurse ishin ato në lulishten në hyrje të qytetit të Durrësit (grila dekorative dhe shatërvani me mozaik e pulëbardha), që u dëmtuan dhe u shkatërruan gjatë viteve të tranzicionit.

Kërtusha thotë se ka ardhur momenti që skulptura të shihet ndryshe. Ajo duhet të jetë pjesë e modelimit urban, pra, pjesë e peizazhit qytetës. Artisti mendon se bashkëpunimi midis skulptorëve dhe urbanistëve duhet të jetë shumë i madh.

Qazim Kërtusha dallohet për “kokëkrisjen” e tij artistike, jokonformizmin dhe idetë novatore për skulpturën e zbatuar në mjedise urbane. Është një nga pionierët e skulpturës së parkut në Durrës qysh para viteve 1990, sikurse ishin ato në lulishten në hyrje të qytetit të Durrësit, përballë stacionit hekurudhor të udhëtarëve, që, fatkeqësisht, u dëmtuan dhe u shkatërruan gjatë viteve të tranzicionit. Grilën dekorative dhe shatërvanin me mozaik i gjen vetëm nëpër filmat artistikë apo në ndonjë foto të kohës .

Një nga veprat më të bujshme në skulpturën e parkut është kompozimi i këngëtarit britanik Xhon Lenon (John Lennon), një nga atraksionet turistike më interesante të Durrësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat