Prej tre ditësh qyteti i Durrësit dhe rrethinat kanë mungesë të ujit të pijshëm.
Shkak është bërë një defekt në rrjetin kryesor që furnizon depot nga burimi në Fushë Kuqe.
Përgjegjësi i mirëmbajtjes së rrjetit në ujësjellësin e Durrësit, Gerald Dautaj ka pohuar se po punohet pa ndërprerje për t’i riparuar.
“Ka pasur një rritje presioni çka ka shkaktuar plasaritjen e tubit në afërsi të stacionit të Fushë Kuqes. Me të marrë njoftimi, është ndërprerë uji dhe është dërguar grupi i avarisë për riparimin e defektit. Ndërhyrja ka qenë e vështirë”, ka thënë Dautaj.
Tubacioni 40 vjeçar i Fushë Kuqes që furnizon me ujë qytetin e Durrësit është dëmtuar për shkak të amortizimit, dhe në tre vitet e fundit ka pësuar një seri defektesh.