Bllokimi i autobusëve të Kosovës, reagon Vangjush Dako: Duam të evitojmë trafikun në qytet

Durrësi

Bllokimi i autobusëve të Kosovës, reagon Vangjush Dako: Duam të evitojmë trafikun në qytet

Më: 19 korrik 2017 Në ora: 13:13
Vangjush Dako

Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka reaguar për herë të parë ndaj problemit të ngritur nga ana e pushuesve nga Kosova që nuk lejohen të hyjnë më në rrugën Pavarësia prej javës së shkuar.

“Autobusët me pushues nga Kosova nuk do të lejohet të kalojnë në këtë rrugë, por në funksion të tyre janë pesë rrugë paralele për t’u futur në plazhin e Durrësit. Prej pushuesve nga Kosova kërkojmë mirëkuptim të tyre. 

Gjithçka bëhet për të disiplinuar trafikun e rënduar në këtë zonë, dhe për faktin që gjysma e rrugës “Pavarësia” është kthyer në pedonale për vetë pushuesit” tha Vangjush Dako në një prononcim për News24.

“Përjashtim nga ky vendim është bërë për Autobusët me turistë të huaj që janë të prenotuar nga hotelet në plazhin e Durrësit dhe janë lejuar të hyjnë në kundërshtim me tabelat e vendosura nga për qarkullimin rrugor”, tha kreu i bashkisë së Durrësit.

Dako theksoi se 90% e të gjithë pushuesve që frekuentojnë plazhet në Durrës janë nga Kosova dhe ky nuk mund të konsiderohet diskriminim. “Për të rritur cilësinë e shërbimeve bashkia këtë vit ka kryer 4 investime rrënjësore në zonën e plazhit. Është ndërtuar kolektori i ujërave të zeza, është përmirësuar furnizimi me ujë të pijshëm i zonës së plazhit, është ndërtuar pedonalja gjatë verës së fundit”, u shpreh ai.

Kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, tha se në kuadër të disiplinimit të qarkullimit rrugor bashkia ka vendosur që nga ora 8 e mëngjesit deri në 23 të mbrëmjes nuk lejohen të hyjnë në këtë rrugë as mjetet e tjera që bëjnë furnizim të dyqaneve, restoranteve apo hoteleve. Pas kësaj ore mund të qarkullojnë furgonat apo mjetet e tjera.

Në fund kreu i bashkisë përcjell edhe një mesazh për pushuesit që po mbajnë me bukë sipas tij shumë familje në Durrës, me të ardhurat që marrin nga turizmi.

“U bëj thirrje të gjithë pushuesve nga Kosova të vijnë në plazhin e Durrësit dhe të qëndrojnë këtu. Këtë vit në plazh ka risi. Nuk ka asnjë derdhje të ujërave të zeza në det, asnjë papastërti në drejtim të rrjetit nëntokësor, janë të lidhura me kolektorin kryesor. Furnizimi me ujë është 5 orë në ditë për të gjithë plazhin. Furnizimi me energji është 24 orë në ditë. Rruga ‘Pavarësia’ nga një rrugë për makina u bë në shëtitore për pushuesit në atë zonë. Kemi katër elementë që kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e pushuesve”, tha Dako.

Moslejimi i pushuesve nga Kosova ë hyjnë në plazhin e Durrësit ka shkaktuar një valë zemërimi në bregdetin Adriatik tek të gjithë operatorët turistikë, dhe tek pushuesit në këtë anë e në pjesën e Kosovës, aq sa pushuesit nga Kosova, thanë se nuk do të vijnë më vitin tjetër në Durrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat