Durrësi plot me turistë, pushues të huaj e vendas mbushin rrugët edhe në mbrëmje

Durrësi

Durrësi plot me turistë, pushues të huaj e vendas mbushin rrugët edhe në mbrëmje

Më: 23 qershor 2018 Në ora: 20:42
Durrësi

Jo vetëm dita, po dhe mbrëmjet në plazhin e Durrësit janë po aq të bukura. Ndryshe nga dita që fton për banje dielli e not, mbrëmja ofron të tjera kënaqësi.

Pavarësisht motit të paqëndrueshëm, fundjava nuk i ka mbajtur larg plazhit pushuesit e shumtë që vijnë nga zona të ndryshme të vendit, rajonit dhe Europës.

Teksa dielli humb pas reve, pronarët e mjeteve lundruese të argëtimit nxitojnë t’i sigurojnë ato për t’u bërë ballë tallazeve detare. Fëmijët i gëzohen lojërave dhe të rriturit shëtitjeve dhe një kafeje a darke të lehtë buzë detit.

Ky çift i ri është nga Hungaria dhe që nga dita e djeshme ka nisur pushimet në Durrës.“Jemi nga Hungaria. Arritëm dje. Do të qëndrojmë 5 ditë në Durrës dhe 2 ditë në Tiranë dhe do të kthehemi në Budapest. Është qetë. Plazhi është shumë i këndshëm dhe deti shumë i përshtatshëm për fëmijët dhe këdo tjetër që nuk mund të notojë. Fluturuam nga Budapesti në Tiranë së bashku me kryeministrin tuaj. Nuk dimë shumë për Shqipërinë. Është hera e parë. E dimë që Shqipëria është një vend i ngjashëm me Italinë, Greqinë dhe Malin e Zi. Ka lumenj, male, det”.

Një pushues nga Lushnja, po dhe shumë të tjerë nga Kosova dhe zona të tjera të vendit tregojnë për qetësinë që të falin shëtitjet e mbrëmjes.

“Jemi nga Kosova dhe jetojmë në Suedi. Do të rrimë pak dhe do të kthehemi në korrik. Është mbrëmja e parë sot”.

“Jam nga Vushtria. Pasditen e kalojmë me ndonjë shëtitje. Kafe. Do të rrimë 3-4 ditë”.

“Nga Kosova jemi. Do të rrimë 7 ditë. Mbrëmjeve dalim shëtitje”.

“Jemi nga Shkodra. Kemi dhe shtëpi këtu. Mbrëmjeve ecim bregut detit, po na e kanë bllokuar krejt këta bregun”.

“Bëj një xhiro deri në fund. Ha ndonjë gjë në këto lokalet buzë detit. Kthehem në shtëpi dhe vij sërish pas darke për një shëtitje tjetër. Jam shumë e kënaqur nga plazhi dhe se si e mbajnë ambientin”, thotë një tjetër pushues.

Më të rinjtë do të donin më shumë mundësi argëtimi mbrëmjeve.

“Është shumë ambient i këndshëm. Atmosferë e bukur. Është dhe freskët. Po nuk ka shumë mundësi argëtimi. Jam nga Dibra”, thotë një vajzë.

Çdokush prej tyre ka pritshmëri dhe vlerësime të ndryshme për plazhin dhe ato që ai ofron, po të gjithë bashkohen në dëshirën për një mot të mirë, pa shi e stuhi në bregdet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat