“Me sytë nga zoti”, tërmeti lë jashtë familjen me 5 anëtarë

Durrësi

“Me sytë nga zoti”, tërmeti lë jashtë familjen me 5 anëtarë

Më: 4 korrik 2018 Në ora: 23:06
Dëmi nga tërmeti

Tërmeti i fuqishëm që goditi vendin paraditen e sotme, ka shkaktuar më shumë dëme materiale në qarkun e Durrësit, ku edhe është regjistruar dhe epiqendra e tij.

Shtëpi, pallate e dyqane të plasaritura e të dëmtuara janë raportuar në njësitë vendore të bashkive Durrës, Shijak e Krujë, konkretisht në njësitë vendore Manëz, Katund i Ri, Ishëm, Sukth, Maminas, Cudhi dhe Thumanë.

Shtëpia e Altin Kurtit në Manzë është dëmtuar plotësisht. Tavanet janë shembur, muret dhe dyshemeja janë çarë, duke e kthyer në të pabanueshme shtëpinë e familjes prej 5 anëtarësh.

I sapodalë nga spitali për shkak të sëmundjes kardiake nga e cila vuan, Altini pësoi një goditje të fortë gjatë tërmetit, ndërsa dy fëmijët e tij të vegjël ndodheshin brenda shtëpisë duke luajtur.

Fëmijët vetë tregojnë se u fshehën poshtë krevatit të prindërve të frikësuar nga goditjet e forta dhe tavanin që po u binte mbi kokë.

Teksa familjarët tregojnë për panikun dhe dëmet e pësuara, të tjera lëkundje sizmike godasin shtëpinë, duke e kthyer në një rrezik dhe hyrjen në të. Energjia është ndërprerë.

Kryeplaku i fshatit Skënder Huqi ka njoftuar menjëherë Emergjencat Civile për situatën e krijuar, duke kërkuar një çadër apo strehim të përkohshëm për familjen Kurti, të cilës i ka hapur dhe dyert e shtëpisë së tij në këtë situatë emergjence

Familja me tre fëmijë do e kalojë natën jashtë, duke u lutur që natyra t’u kursejë goditje të tjera dhe në pritje të ndihmës konkrete nga bashkia dhe kushdo tjetër që mund t’u vijë në ndihmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat