Porti i Durrësit, analizohet sezoni turistik 2018

Durrësi

Porti i Durrësit, analizohet sezoni turistik 2018

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 16:28
Ilustrim

Menaxhimi i mirë dhe bashkëpunimi i institucioneve gjatë sezonit turistik të këtij viti do të shërbejë për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe situatën e infrastrukturës së portit në të ardhmen, tha drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual të Durrësit, Afrim Bakaj.

Gjatë takimit të analizës që u zhvillua sot me nismën e Prefektit të Qarkut, Roland Nasto, drejtori Bakaj tha se disa nga projektet e ndërmarra që shtojnë parametrat e sigurisë dhe zvogëlojnë kohën e kontrollit doganor për automjetet do të jenë pjesë e Plan-biznesit për vitin 2019.

Ndërsa prefekti Roland Nasto vlerësoi se gjatë këtij sezoni veror u përafruan shërbimet dhe infrastruktura portuale sipas praktikave ndërkombëtare në sigurinë totale të portit, në tërësinë e shërbimeve të një niveli të lartë, në garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së mjedisit, në menaxhimin dhe bashkëpunimin ndërmjet operatorëve të ndryshëm që kryejnë shërbime në port.

Lindita Nushi, drejtore e Policisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit tha se “bashkëpunimi i mirë mes forcave të Policisë dhe atyre të FSPD në zbatimin e detyrave duhet kthyer në një bazë pozitive për të rritur sigurinë portuale”.

Drejtuesit renditën problematikat e vërejtura dhe masat që po merren për zgjidhjen e shpejtë të tyre. Lëvizjes së trageteve dhe të kroçerave në kalata i është shtuar numri në rritje i jahteve të ankoruara kryesisht në molet 5 dhe 6.

Problematika u ngrit nga kapiteni i portit, Taulant Allkja, i cili nënvizoi se duhet përcaktuar një hapësirë e veçantë për akostimin e jahteve.

Mjaft të interesuar për bashkëpunimin, përfaqësuesit e kompanive të lundrimit kërkuan zgjidhje të përbashkëta për kushtet dhe shëndetin e udhëtarëve, etj.

Analiza e sezonit turistik 2018, që u zhvillua në mjediset e APD është e para që zhvillohet në shkallë qarku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat