OEAK: Plot sfida për fuqizimin e grave në ekonomi

Ekonomi

OEAK: Plot sfida për fuqizimin e grave në ekonomi

Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 12:31
Pamje nga tryeza “Promovimi i Grave në Ndërmarrësi dhe Vendimmarrje”

Sfidat me të cilat ballafaqohen gratë, duke filluar nga numri i vogël i grave të punësuara, pagat e ulëta dhe mungesa e kontratave, ishte temë e diskutimit të tryezës “Promovimi i Grave në Ndërmarrësi dhe Vendimmarrje”, organizuar sot nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se roli i grave në shoqërinë kosovare është veçanërisht i rëndësishëm, sidomos në zhvillimin ekonomik dhe ndikimi i tyre në stabilitetin dhe prosperitetin e vendit.

Jahjaga: Grave u mohohet qasje në burimet financiare

“Grave për një kohë të gjatë u janë mohuar shumë të drejta, të drejtat të cilat janë  edhe të drejta njerëzore, të cilat iu mundësojnë atyre të kenë një jetë dinjitoze, që të jenë pjesëmarrëse aktive në shoqërinë e tyre. Të drejtat e mohuara fillojnë nga e drejta për votë, e drejta për pjesëmarrje në politikë, e drejta në pronësi, si dhe e drejta për të pasur qasje në burimet financiare. Fatmirësisht, përkundër statistikave që dëgjuam deri që nuk janë edhe aq premtuese, ne jemi edhe dëshmitarë të disa ndryshimeve pozitive”, tha Jahjaga.

Ajo tha se ky progres nuk ka ndodhur vetvetiu, por falë luftës së vazhdueshme të shoqërisë sonë dhe grave të guximshme që kanë thyer stereotipat gjinore.  

Ndërsa, Florije Xhemajli, menaxhere e Projektit në Fondacionin Jahjaga, tha se 82 për qind e grave janë të papunësuara, derisa numri i tyre është i vogël edhe në ndërmarrësi, diku rreth 10 për qind.

Xhemajli: Mjaft sfida për fuqizimin ekonomik të grave

“Janë disa sfida që e karakterizojnë fuqizimin ekonomik të grave, duke filluar prej papunësisë që është në numër shumë të lartë. Kemi vetëm 18 për qind të grave,  të cilat janë të punësuara, edhe ata që janë të punësuara përballen me sfida të ndryshme, duke filluar prej pagave të ulëta, të cilat e vështirësojnë vazhdimin  tyre për të qenë pjesë e tregut të punës. Mungesa e kontratave të punës, që nuk është vetëm mungesë e sigurisë aktuale, por afatgjatë për gratë në Kosovë”, ka thënë Xhemajli.

Lisa Magno, shefja e Misionit të USAID në Kosovë, tha se vetëm 20 për qind e grave punojnë në Kosovë, ndërsa 10 për qind janë udhëheqëse të ndërmarrësisë. Ajo ka thënë se USAID-i është i përkushtuar t’i ndihmojë gratë e Kosovës. Magno ka inkurajuar gratë në ndërmarrësi t’i trajtojnë gratë e punësuara dinjitetshëm.

Magno: Mungesa e potencialit dhe talentit nuk është problem në Kosovë

“Një demokraci nuk mund të përparojë pa angazhuar gjysmën e popullatës së saj. Mungesa e potencialit dhe talentit nuk është problem në Kosovë, e një gjë të tillë mund të e dëshmojnë edhe gratë që janë prezentë këtu. Përmes përpjekjeve tona modeste gjatë 19 vjetëve të fundit, USAID-i në mënyrë konsistente ka promovuar një pjesëmarrje më të madhe të grave në fuqinë punëtore. Kemi krijuar mundësi për zhvillim të shkathtësive dhe kemi promovuar zhvillimin e shkathtësive të menduarit kritik për vajzat e reja”, tha Magno.

Ndërsa, të pranishme në këtë tryezë ishin disa gra, të cilat janë udhëheqëse të ndërmarrësisë dhe shpalosen sfidat e tyre në biznes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat