Banka Botërore mbështet përfshirjen financiare në Shqipëri

Ekonomi

Banka Botërore mbështet përfshirjen financiare në Shqipëri

Më: 22 dhjetor 2018 Në ora: 21:06
Foto ilustrim

Banka Botërore në Shqipëri po përqendrohet fort në diversifikimin e sektorit financiar në Shqipëri, për të mundësuar një përfshirje më të madhe financiare.

Në këtë kontekst, Banka Botërore po zbaton aktualisht Programin e Dërgesave dhe Pagesave (RPP), i financuar nga Sekretariati Zviceran për Çështjet  Ekonomike (SECO). RPP synon të rrisë efikasitetin e pagesave të vogla në vendet e përzgjedhura, me një fokus të veçantë në dërgesat ndërkombëtare.

Objektivi i përgjithshëm i RPP-së në Shqipëri është të rrisë qasjen dhe përdorimin e llogarive të transaksioneve dhe të instrumenteve elektronike të pagesave, duke përmirësuar efikasitetin e pagesave të brendshme me pakicë dhe dërgesave ndërkombëtare.

Edlira Dashi, specialiste për edukimin financiar në BB, shprehet se, ky program synon të krijojë kushtet për ofrimin e shërbimeve të pagesave me kosto më të lirë dhe lehtësisht të arritshme për migrantët dhe familjet e tyre, si dhe për popullatën e Shqipërisë në përgjithësi.

Shërbimet e pagesave në rrethana të caktuara mund të lehtësojnë qasjen në shërbime të tjera financiare, duke e zhvilluar më tej përfshirjen financiare dhe në shumë raste janë kritike për ofrimin efikas të këtyre shërbimeve.

Në Shqipëri, RPP-ja përfshin një element përbërës në Projektin Greenback 2.0, një nismë e Bankës Botërore për të angazhuar komunitetet emigrante në qytete të përzgjedhura, për të ofruar edukim dhe ndërgjegjësim financiar.

Objektivi i përgjithshëm është rritja e efikasitetit në tregun e dërgesave të emigrantëve, përmes një qasje novatore: promovimi i ndryshimit i frymëzuar nga nevojat reale të përfituesve përfundimtarë të transfertave ndërkombëtare të parave, pra emigrantët dhe familjet e tyre në vendet pritëse. Bashkëpunimi midis migrantëve, ofruesve të shërbimeve të dërgesave dhe autoriteteve publike është çelësi për arritjen e objektivit të projektit. Në Shqipëri, Projekti Greenback 2.0 po zbatohet në Berat. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat