Rukiqi: 2019, vit i luftimit të informalitetit

Ekonomi

Rukiqi: 2019, vit i luftimit të informalitetit

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 13:15
Berat Rukiqi

Përderisa 2018-ta po konsiderohet të ketë qenë viti zgjedhor për OEK-un, viti që po hyjmë pritet të jetë luftimi i informalitetit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë sot se gjatë vitit 2019-të OEK do të ketë për herë të parë edhe konferencën ndërkombëtare për tregun e punës, për të diskutuar të ardhmen e vendeve të punës.

Rukiqi: 2018-ta u karakterizua si vit zgjedhor për OEK-un

“Viti 2018 është karakterizua si vit zgjedhor me një proces pothuajse 6-mujor. Në pjesën e parë të këtij viti është përmbyll një cikël zgjedhor i OEK-ut, që organizohet çdo katër vjet, një cikël demokratik ku secili anëtarë ka pasur peshën e vet në këtë proces dhe i cili ka rezultuar me zgjedhjen time kryetar të OEK. Normalisht, procesi zgjedhor ka ndikuar në dinamikën e aktiviteteve. Dhe, fokusi në pjesën e mbetur ka qenë ri-pozicionimi i Odës si akteri më i rëndësishëm për mbrojtjen e sektorit privat në vend. Dhe besoj që këtë e kemi arritur”, tha ai.

Rukiqi bëri të ditura edhe objektivat e OEK-ut për vitin 2019. Sipas tij, OEK do të angazhohet vazhdimisht në promovimin e importit dhe eksportit.

Rukiqi: 2019-ta do të jetë vit i luftimit të informalitetit

“Viti 2019 për OEK-un do të jetë vit i luftës kundër informalitetit, për shkak se çdo ditë e më shumë informaliteti dhe konkurrenca jo e drejtë po bëhen barriera kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit. Sa i përket ekonomisë në vitin 2018-të, nëse flasim për aspektet pozitive, do ta përmendi trendin pozitiv të rritjes ekonomike, 3.7 për qind në vitin 2017, 4.2 për qind në 2018-ën. Reformën fiskale, duhet të jemi të sinqertë, reformat fiskale e kanë ndihmuar sidomos sektorin prodhues. Sot, 650 kompani prodhuese përfitojnë nga ndryshimet në politikat fiskale”, u shpreh ai.

Ai ka folur edhe rreth vendosjes së masës 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Rukiqi: Taksa ka ngritur vetëdijen e konsumatorëve

“Konsiderohet se kemi një ngritje të vetëdijes. 80 për qind e konsumatorëve konsiderojnë që taksa ka ndikuar në ngritjen e vetëdijes për produktet e vendit dhe për mundësitë apo për alternativat tjera nga vendet e tjera dhe që nuk janë prodhime serbe. Kjo ngritje e vetëdijes është efekti më pozitiv i taksës kisha me thënë”, tha Rukiqi.

Kryetari i OEK-ut, u shpreh se në vitin 2019-të, duhet fokusuar edhe në zvogëlimin e remitencave dhe përkrahjen e bizneseve private, ndërsa shumë shqetësuese mbeten të hyrat nga investimet direkte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat