Efektet e tarifës – Ulen çmimet e prodhimeve nga Serbia e Bosnja

Ekonomi

Efektet e tarifës – Ulen çmimet e prodhimeve nga Serbia e Bosnja

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 16:01
Ilustrim

Që nga vendosja e tarifës doganore 100 për qind ndaj prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, tregtarët dhe bizneset në Kosovë po bëjnë përpjekje që t’i shesin sa më shpejtë produktet e mbetura. Nëpër dyqane e qendra tregtare, mallrat nga Serbia e Bosnja janë vendosur në vitrinat ekspozuese me çmime më të ulëta, në përpjekje që ato të shiten.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për këtë taksë, ka ndikuar edhe te blerësit.

Njëri nga ta është Ragip Termkolli, rreth 50-vjeç, i cili thotë se taksa po ndikon që konsumatorët të kërkojnë prodhime nga vendet tjera që janë në treg.

“Jo nuk blej dhe nuk kam blerë shumë edhe para taksës. Edhe tash kur të shkoj në dyqane kujdesem që të mos furnizohem më produkte nga këto dy shtete. Ka shumë prodhime vendore dhe furnizohem me to”, thekson Termkolli.

Para vendosjes së taksës, tregu i Kosovës ka qenë i mbushur me produkte nga Serbia. Ky vend ka qenë eksportuesi më i madh i mallrave në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 1.2 milion euro në ditë apo mbi 400 milionë euro në vit, ka qenë vlera e produkteve që kanë hyrë nga shteti i Serbisë në tregun e Republikës se Kosovës. Ndërkaq vlera e prodhimeve “Made in Kosova” në territorin e Serbisë ka qenë rreth 40 milionë euro në vit.

Ndërsa, që nga vendosja e taksës është rritur shitja e prodhimeve vendore. Përderisa Gjermania dhe Turqia, tani janë dy vendet nga të cilat Kosova importon më së shumti.

Edhe Violeta Katanolli, një qytetare nga Prishtina, thotë se është e interesuar që për gjërat e nevojshme të furnizohet me prodhime vendore.

“Unë edhe nuk kam blerë shumë edhe më herët. Më shumë blej produkte vendore, mallra të Maqedonisë, Shqipërisë, Sllovenisë dhe shteteve tjera”, thekson Katanolli.

Përderisa në qytetet dhe viset e banuara me popullatë shumicë shqiptare, afaristët, tregtarët konstatojnë rënie të interesimit për blerjen e produkteve nga Serbia e Bosnja, në komunat e banuara me shumicë serbe gjendja është ndryshe. Qytetarët serbë, sidomos në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, kanë protestuar duke kërkuar që tarifa e Qeverisë së Kosovës të shfuqizohet, ngase furnizimi i tyre me prodhime nga Serbia ishte konsideruar si esencial.

Në anën tjetër përfaqësues të komunitetit të biznesit theksojnë se afaristët në Kosovë po mundohen të shesin produktet e këtyre shteteve për shkak të skadimit të afatit, pasi mallrat janë importuar më herët në Kosovë.

Skënder Krasniqi, kryetar në Odën e Afarizmit të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se bizneset e Kosovës po tentojnë të largojnë produktet nga Serbia dhe Bosnja nga dyqanet e tyre dhe po kërkojnë alternativë të leverdishme në tregjet e shteteve tjera.

Ai thotë se gjatë takimeve me afaristë është thënë se pas vendosjes se taksës, qytetarët po hezitojnë të blejnë këto produkte.

“Mallrat nga këto shtete janë furnizime të mëhershme që dyqanet i kanë në stoqe dhe janë duke i ekspozuar për shkak të afatit të skadimit. Kjo është arsyeja kryesore që janë duke i ekspozuar më shumë sesa herëve tjera”, thotë Krasniqi.

AKB: Mbi 23 milionë euro humbje Serbisë nga vendosja e tarifës
Ndërkaq, Berat Rukiqi kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, në konferencën përmbyllëse për këtë vit, ka thënë se orientimi konsumatorëve drejtë prodhimeve vendore ishte efekti i vendimit të Qeverisë së Kosovës për tarifën doganore për produktet nga Serbia dhe Bosnja.

“Rreth 80 për qind e konsumatorëve konsiderojnë se taksa ka ndikuar në ngritjen e vetëdijes për produktet e vendit dhe në të njëjtën kohë për mundësitë dhe alternativat tjera për produktet e shteteve tjera. Kjo ngritje e vetëdijes është efekti më pozitiv i taksës, për shkak se krijon një qëndrueshmëri në orientimin e konsumatorit por qëndrueshmëri në zhvillimin e sektorit prodhues”, ka thënë Rukiqi.

Haradinaj: Tarifa nuk hiqet pavarësisht kush është kryeministër i Kosovës
Ndryshe, sipas një hulumtimi nga Aleanca Kosovare e Biznesit, të realizuar në periudhën 21 nëntor – 5 dhjetor 2018, thuhet se në tregun e Kosovës gjenden rreth 31 milionë euro mallra serbe, qoftë në depot doganore të Kosovës apo mallra të papaguara.

Kurse 24 milionë euro llogaritet që bizneset nga Kosova kanë produkte të paguara në shtetin e Serbisë, e që pas vendosjes se taksës nuk i kanë tërhequr.

Sipas të dhënave zyrtare të doganave të Kosovës, importi i produkteve finale ka rënie drastike, megjithatë nga Serbia në Kosovë deri më tani kanë hyrë kamionë kryesisht me lëndë të parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat