Naftarët në Kosovë mohojnë se çmimet e naftës janë më të lartat në rajon

Ekonomi

Naftarët në Kosovë mohojnë se çmimet e naftës janë më të lartat në rajon

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 14:44
Naftarët në Kosovë

Raportimi se në Kosovë nafta po shitet 30 centë më shumë se në vendet e rajonit ka nxitur reagimin e Shoqatës së Naftarëve të cilët thonë se Kosova është vendi i dytë në shtetet fqinje me çmimin më të ulët të naftës.

Ata siguruan se nuk ka asnjë marrëveshje për ngritje të çmimit dhe ftuan Autoritetin e Konkurrencës të hetojë për këtë.

Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani në një konferencë për media tha se nafta në Kosovë është më e lira dhe se të gjitha raportimet se në Kosovë çmimi i naftës është 30 centë më lartë se vendet e rajonit, janë të pavërteta.

Berjani njoftoi edhe për takimin që kanë zhvilluar sot me kryeministrin Ramush Haradinaj, me të cilin tha se përveç çmimit të naftës, kanë diskutuar edhe për kërkesat e tyre për rregullatorin dhe kyçjen në rrugë.

Berjani: Ne jemi më të lirët në rajon, përveç Maqedonisë

“Kjo e cila u lansua në media se 30 centë është më e shtrenjtë, ky është një informim për ju të korrigjoni të shihni se si janë çmimet në regjion dhe në Kosovë. Do të thotë ne jemi më të lirët në regjion, përveç Maqedonisë, sepse ajo e ka akcizën 26 cent. Tek ne akciza e dizelit është 36 cent, ndërsa e benzinës 38... këto shqetësime i shpalosëm dhe tek kryeministri, e mirëkuptuam, e njoftuam se çfarë çmime sillën edhe në regjion, ky është treg i hapur dhe liberal. Ne tek kryeministri i kishim dhe disa kërkesa që i kisha cekur para mediave. Njëra prej kërkesave ka qenë rregullatori, sidomos ai pyeti me përgjegjësi të plotë për ligjin e naftës pse nuk ka kaluar deri më tani. Na premtoj se do të kaloj sa më parë. Ne e kishim dhe kërkesa tjetër ka qenë kyçja në rrugë që i vetmi shtet ne paguajmë kyçje enorme të shtrenjtë”, tha ai.

Kurse, Latif Kryeziu nga Al-Petrol-Shell, siguroi të gjithë qytetarët se nuk ka asnjë marrëveshje ndërmjet bizneseve për ngritje të çmimit të naftës.  

Madje tha se fitimi është shumë i vështirë për arsye të konkurrencës së ashpër, meqë në Kosovë tashmë janë rreth 1000 pika të derivateve të naftës.

Kryeziu: Kurrë nuk ka marrëveshje sa i përket ngritjes së çmimit të naftës

“Çmimet në përgjithësi unë po iu them se faktorët të cilët ndikojnë dhe që e marrin për elementë për formimin e çmimit i kemi mbi pesëmbëdhjetë, nuk është vetëm çmimi i furnizimit ose i bursës. Ai është një, ne në Kosovë e kemi akcizën, e kemi të limituar gjithmonë fikse, 36 cent është për naftë, 38 është për benzin, kjo është akcizë e lartë në krahasim nëse e merr Maqedoninë psh, por nëse e marrim shtete tjetër ne jemi pak më të lirë. Sa i për ketë çmimeve ne me afër 1000 pika që ka Kosova me derivate të naftës lirisht mund të them se ne menxi vijmë tek kufiri i rentabilitetit për arsye se është një konkurrencë shumë e madhe...kurrë nuk marrëveshje, prej këtu e ftojmë autoritetin e konkurrencës që të hulumtoj ditë e natë sa i për ketë çështjes së çmimeve nëse marrëveshjes, ku po ju garantoj që këtu ku jemi ne kurrë nuk ka pasur dhe as nuk ka me pas”, deklaroi, Kryeziu.

Ndërsa, për ulje të çmimeve në disa pika, Kryeziu i konsideron raste të izoluara, duke thënë se ato e kanë bërë për arsye të caktuara personale, për shkak të pagesave të kredive që ato kanë.

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Ramush Haradinaj kërkoi nga naftarët të respektojnë çmimin e tregut, ndërsa kërkoi nga Autoriteti i Konkurrencës të hetojë për këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat