Viti i stagnimeve dhe luftës tregtare

Ekonomi

Viti i stagnimeve dhe luftës tregtare

Më: 3 janar 2019 Në ora: 00:34
Ilustrim

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 76 të datës 21 nëntor 2018, mori vendimin për goditjen më të madhe që deri më tani i është bërë Serbisë, duke i vendosur masë mbrojtëse 100 përqind për të gjitha prodhimet e këtij vendi.

Brenda një muaji në Kosovë ka hyrë mall serb nga 35 deri në 40 milion euro. Ndërsa, pas masës mbrojtëse, importi ka rënë për 99 përqind. Në muajin e fundit kanë hyrë produkte në vlerë të 300 mijë eurove.

Përveç produkteve serbe, masa u vendos edhe për ato boshnjake.

Kërkesat e para ishin bërë në maj të këtij viti, nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe gjatë verës nga Ministria e Tregtisë. Por, në të dyja rastet, ishte hedhur poshtë nga qeveria, nën arsyetimin se taksa mbrojtëse vendoset vetëm në atë moment kur lidhet me efektet ekonomike.

Por, masa që u ndërmor nuk kishte të bënte asgjë me efektet ekonomike, por politike dhe atë pas ndikimit të Serbisë në heqjen e njohjeve dhe mosanëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Masa ndikoi në vetëdijesimin e qytetarëve për konsumimin e produkteve vendore dhe krijimin e përshtypjes se duhet gjithsesi të bojkotohen prodhimet nga ky vend.

Nga masa nuk u përjashtua as lënda e parë. Gjatë vitit 2018 është importuar lëndë e parë në vlerë të 50 milionë eurove, prej tyre 80% është blerë nga Serbia.

Por, nga takimet me biznese, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se lënda e parë ka qenë lehtë e zëvendësueshme. Megjithëkëtë, Serbia nuk ka qëndruar duarkryq. Dyshimet e para të Odës janë në paketimin e miellit serb në Maqedoni. Nga ky vend, Kosova ka trefishuar sasinë e importimit të miellit.

Shqetësimet e para ishin edhe për mundësinë e rritjes së kontrabandimit të produkteve. Për këtë, Dogana e Kosovës kishte shtuar masat e sigurisë duke zhvilluar kontrollet 24-orëshe në rajonin e Mitrovicës. Burime brenda Doganës së Kosovës i kanë thënë Kohavisionit se sasia e mallit që është zënë në tentim për t’u kontrabanduar është dyfishuar që nga vendosja e masës. Sipas të dhënave të siguruara vlera e mallrave referuar çmimit në import është 78 mijë euro. Shmangiet nga tarifat doganore janë 150 mijë euro.

Për masën, presion i madh u bë nga autoritetet ndërkombëtare. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, i kishte kërkuar heqjen e saj presidentit të vendit, Hashim Thaçi. Mogherini kishte vlerësuar se masa nuk i ndihmon procesit për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. E njëjta kërkesë ishte bërë edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Pala serbe kushtëzoi vazhdimin e dialogut me heqjen e masës, mirëpo kryeministri i vendit nuk u tërhoq nga zbatimi i saj.

Ky vendim i qeverisë mori vëmendjen edhe të projektit më të madh në vend.

Më 19 janar të këtij viti, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, publikoi kontratën e nënshkruar me Contour Global, i cili do ta merrte përsipër menaxhimin e projektit.

Problem doli të jetë mospërkrahja e Bankës Botërore, nga e cila ishte pritur mbështetje tash e 15 vjet.

Refuzimin për garantimin e projektit, Banka Botërore e bëri nën arsyetimin se nuk do të përkrahin në Ballkan projekte te energjisë elektrike të cilat bazohen në thëngjill.

Kjo ngriti edhe reagimin e shoqërisë civile, të cilët kërkuar pagimin e penalltisë dhe dorëheqjen nga projekti.

Të njëjtit kërkuan që energjia në vend të prodhohet përmes formave alternative.

Por, u refuzua nga ministri Lluka pasi, sipas tij, termocentrali do të krijojë siguri me furnizimin të energjisë.

Investimet në ndërtimin e termocentralit të ri, priten të jenë afërsisht 1.3 miliard euro.

Kompania “Contour Global” është e gatshme t’i investojë 30% të mjeteve, derisa 70 përqind e projektit do të realizohet përmes kredisë.

E, nëse qeveria e garanton këtë kredi, do ta rrisë borxhin e jashtëm.

Deri tani, borxhi i jashtëm është afër 1 miliard euro, apo 16 përqind e GDP-së, kurse lejohet 40 përqind.

Me garantimin e 70 përqind të 1.3 miliard eurove, sa pritet të kushtojë investimi, atëherë do t’i afrohet kufirit të lejuar, duke pamundësuar ndihmë shtetërore në projekte të tjera.

Megjithëkëtë, edhe pse ishte paraparë që kompania për ndërtimin e termocentralit të përzgjidhet në dhjetor dhe të dihej saktë vlera e investimit, kjo nuk ndodhi.

Derisa, në fund të dimrit, projekti pritet të kalojë në Kuvendin e Kosovës për votim nga deputetët.

Lluka thotë se pret të mos ketë rezistencë nga ana e deputetëve për votim.

Por, projekti po mirëpritet nga bizneset.

Problemet me energji nuk përfundojnë me ndërtimin e “Kosovës së Re”.

Kosovës vazhdojnë të mos i njihen kufijtë energjetikë si pasojë e mosanëtarësimit në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike.

Kjo i kushton KOSTT-it 25 milionë euro.

12 milionë nga mospagesa e qytetarëve në komunat serbe për rrymën që e shfrytëzojnë, 10 milionë nga shfrytëzimi i linjës së transitit nga Serbia dhe 3 milionë për ta paguar kredinë nga investimet e bëra në linjën 400 kilovoltëshe me Shqipërinë.

Kryeshefi i KOSTT-it, Ilir Shala, ka thënë se zgjidhja e kufijve energjetikë i përket më tepër dialogut.

Për të bërë presion mbi ENTSO-në për njohjen e kufijve energjetikë si dhe gjetjes së një alternative për furnizimin e katër komunave veriore me energji, KOSTT kishte nisur tërheqjen e energjisë nga rrjeti evropian.

Kjo kishte shkaktuar devijime të energjisë.

Për këtë, ENTSO kishte propozuar për Kosovën një zgjidhje e cila bie në kundërshtim me marrëveshjen për energji, të nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Sipas marrëveshjes, kufijtë energjetikë të vendit do të ishin sipas kufijve gjeografikë dhe KOSTT-i do të menaxhonte me Ujmanin.

Megjithëkëtë, do të krijohej një kompani serbe, e cila do ta kryente vetëm furnizimin dhe leximin e orëve për komunat veriore.

Por, zgjidhja e përkohshme, e vetëquajtur nga ENTSO, parasheh të kundërtën.

Në të ishte paraparë që Serbia t’ia njohë kufijtë energjetikë Kosovës, ku nuk përfshihen komunat veriore.

Si përfundim, nuk kishte marrë miratimin e shteteve anëtare duke përfshirë edhe Serbinë.

Takimi i radhës mes ENTSO-së, KOSTT-it dhe palës serbe ishte caktuar për 20 nëntor me po të njëjtin fund, pa zgjidhje.

E, kështu, Kosova vazhdon të tërheqë energji nga rrjeti evropian që deri tani ka arritur shumën e 12.5 milion eurove, të cilat ende nuk dihet se si do të kompensohen.

Përveç benefiteve që përfituan shqiptarët në katër komunat veriore, Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, pësuan edhe përjashtime.

Si pasojë e vulave serbe që komunat i vendosnin në dokumente, ata nuk kishin arritur të përfitojnë asnjëherë grante.

Por, ministri serb, Nenad Rikallo, përmes një programi të veçantë, i adresoi 2 milionë euro grante për këto komuna.

Me probleme është përballur edhe ndërmarrja publike “Telekomi”.

Punëtorët, disa herë, protestuan dhe hynë në grevë si pasojë e vonesave në paga.

Madje, ministri Lluka disa herë kishte deklaruar edhe lidhur me mundësinë e uljes së pagave.

Por, kjo sërish nuk e pengoi menaxhmentin të bënte punësime të reja, qoftë ato me kontrata mbi vepër.

Nga një ndërmarrje dikur e super-fuqishme, Telekomi i Kosovës e përfundoi 2018-n me gjendje të vështirë financiare, siç e përfundoi edhe në Trepçë.

Të hyrat në kombinat këtë vit kanë rënë nga 13 milionë në 12 milionë.

Gjendja në kombinatin metalurgjik Trepça është rënduar edhe përkundër luftës së madhe për miratimin e Ligjit për Trepçën prej dy vjetësh. Mirëpo, statuti i Trepçës ka ngecur në Komisionin për Zhvillimin Ekonomik, pasi ky i fundit ka krijuar një komision të veçantë për rihartimin e tij. Gjendja në Trepçë është aq e vështirë, sa ndërmarrja po mundet t’i mbulojë pagat dhe shpenzimet operative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat