Haradinaj: Kosova po bëhet adresë e fuqishme ekonomike

Ekonomi

Haradinaj: Kosova po bëhet adresë e fuqishme ekonomike

Më: 23 janar 2019 Në ora: 18:08
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës se sotme që ka zhvilluar në bizneset e Komunës së Pejës, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e bizneseve prodhuese.

Kryeministri Haradinaj tha se në tregun tonë ka mundësi të bëhet edhe më shumë, andaj kërkoi nga të gjithë qytetarët e vendit, por edhe bizneset që t’i kthehen idesë që produkti ynë të zë vendin së pari në Kosovë, e pastaj të dalë në tregun e jashtëm.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj vlerësoi se politikat tatimore në Kosovë janë ndër më të mirat në botë, duke theksuar se tashmë janë krijuar lehtësira në tatimin e lëndës së parë, të makinerisë prodhuese dhe ajo që duhet bërë në Kosovë është mbushja e tregut me mallra të vendit.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj u tha bizneseve në Pejë, se Qeveria i ka kushtuar kujdes investimeve nacionale për këtë trevë dhe punimet e autorrugës për Pejë edhe pse janë vonuar, do të fillojnë në maj të këtij viti, e që është ndihmesë për zhvillimin ekonomik të kësaj treve.

“Jeni në dijeni që autostrada e Dukagjinit, Istog-Pejë, Deçan- Gjakovë, Rahovec-Prizren, është në fazën e leximit publik dhe të gjitha procedurat do të jenë të gatshme për shpallje të procedurave për ndërtim në muajin tetor”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se me përmbylljen e infrastrukturës vendi kthehet në një lider në rajon në infrastrukturë dhe njëkohësisht me lidhje të mira infrastrukturore me ekonomitë e rajonit.    

Në këtë takim me përfaqësues të bizneseve, kryeministri Haradinaj foli edhe për vendosjen e taksës për produktet serbe, duke thënë se ky vendim nuk është marrë për shkak të prodhuesve vendorë, por për shkaqe politike, dhe koha kur do hiqet taksa do jetë atëherë kur Serbia t’i plotësojë kushtet e kërkuara nga vendi ynë. Gjatë bashkëbisedimit të kryeministrit Haradinaj me përfaqësuesit e bizneseve të komunës së Pejës, u ngritën shumë tema që kanë të bëjnë me ekonominë, si çështja e punëtorëve të kualifikuar përmes hapjes së shkollave profesionale, subvencionet, çështjet tatimore, infrastruktura ligjore, rritja e kualitetit të prodhimeve “Made in Kosova” dhe tema tjera të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryeministri Haradinaj u tha përfaqësuesve të bizneseve se ia vlen që të planifikojnë që shumë veprimtari ekonomike, të cilat do t’i shpërndajnë në vende tjera, t’i koncentrojnë në vendin e tyre, për shkak se këtu do të ndodh zhvillimi dhe Kosova do të bëhet adresë e fuqishme ekonomike.

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, duke folur për efektin e taksës tha se kjo masë ka arritur që prodhuesit vendorë të rrisin prodhimin, shitjen dhe hapjen e vendeve të reja të punës dhe se Qeveria Haradinaj është duke punuar me përkushtim në mbështetje të bizneseve vendore. Përfaqësuesit e bizneseve, po ashtu janë shprehur të kënaqur me reformat fiskale që ka ndërmarrë Qeveria, duke potencuar që këto reforma kanë ndikuar në zhvillimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat