Qytetarët dhe bizneset në sherr për kusurin 1, 2 dhe 5 centësh

Ekonomi

Qytetarët dhe bizneset në sherr për kusurin 1, 2 dhe 5 centësh

Më: 24 janar 2019 Në ora: 18:34
Foto ilustrim

Bizneset në vend po vazhdojnë t’i mashtrojnë konsumatorët duke mos ua kthyer paratë në vlerë prej 1, 2 dhe 5 centë. Mos kthimin e kusurit në centa, bizneset po e arsyetojnë me mungesën e këtyre monedhave në treg. Por, kjo ankesë e bizneseve po del të jetë e pa vërtetë. Në institucionin që është përgjegjës për furnizim me centë deklarojnë se vetëm gjatë vitit të kaluar ata kanë furnizuar bankat komerciale me rreth 4 milionë euro, me monedha të tilla.

Shumë prej konsumatorëve në vend, dalin nga marketet pa marrë kusurin. Gjithë kjo pasi shumica e këtyre bizneseve nuk u kthejnë para të imëta, me arsyetimin se kanë mungesë të tyre. 

Pavarësisht ankesave të shumta për këtë mashtrim, institucionet kompetente vazhdojnë “gjumin”. Nga mos kthimi i kusurit, bizneset po përfitojnë me qindra euro në vit. 

E në institucionin që është përgjegjës për furnizim me centë, arsyetimet e bizneseve po i konsiderojnë të kota. Deklarojnë se ata bëjnë furnizimin me centë varësisht nga kërkesa e bizneseve. 

Vetëm gjatë vitit 2018, në Bankën Qendrore të Kosovës thonë se kanë furnizuar bankat komerciale me afër 4 milionë euro, në vlerë të 1, 2 apo 5 centëve. 

Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti ka thënë se në vend nuk ka mungesë të 1, 2 dhe 5 euro centëve në Kosovë por ka një jo-gatishmëri për përdorim të tyre nga ana e bizneseve dhe qytetarëve në vend. 

 “Vlen të theksohet se qytetarët për shkak të vlerës së vogël nominale që kanë denominimet 1 dhe 2 euro cent janë të prirur që të mos i përdorin, madje edhe duke mos i bartur me vehte, ndërsa në anën tjetër preferojnë ti marrin ato si kthim gjatë transaksionit. Bizneset gjithashtu janë të prirura që të mos bëjnë kthimin e monedhave të kuqe (2 dhe 1 euro cent) gjatë transaksioneve duke bërë rrumbullaksimin e pagesës në raport me vlerën e faturës”, ka thënë ai. 

Në BQK thonë se viteve të fundit ka rritje të interesimit të përdorimit të tyre nga qytetarët dhe bizneset. Deklarojnë se kërkesa e bankave komerciale për këto monedha ka shënuar një rritje prej 28 për qind krahasuar me vitin e kaluar. 

Në këtë institucion bëjnë thirrje që qytetarët të jenë më këmbëngulës në kërkesën e tyre për kthimin e saktë të kusurit, pasi që kjo edhe do të rriste kërkesën e bizneseve për furnizim me para të imëta. 

“Qytetarët duhet të jenë më këmbëngulës në kërkesën e tyre për kthimin e saktë të vlerës gjatë blerjes që rrjedhimisht do i shtyente bizneset që të rrisin kërkesën për këto denominime tek bankat komerciale meqë është kërkesa e bizneseve dhe qytetarëve ajo që e përcakton kërkesën e bankave komerciale ndaj Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për furnizim me monedha të të gjitha denominimeve”, thuhet në përgjigjet e BQK’së.

Për mos kthimin e monedhave 1, 2 dhe 5 cent kanë reaguar disa herë organizata për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. 

Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku kishte thënë se kanë shumë ankesa nga konsumatorët për këtë çështje, por nuk ka reagim dhe mbrojtje shoqërore. Kishte thënë se kështu po humbet edhe besimi i konsumatorëve. 

“Ankesa ka jo një herë po shumë herë, por duke parë se nuk ka reagim dhe mbrojtje shoqërore dhe sistemi nuk funksionon , atëherë konsumatori e ka humb besimin dhe çdo herë e më pak ankohet për arsye se ankesat nuk po shqyrtohen dhe nuk po merren parasysh”, kishte thënë Kaçaniku.

Por, mashtrimi me centë nuk është i vetmi që iu bëhet konsumatorëve në vend. Mospërputhja e çmimeve raft- arkë dhe mos vendosja e çmimeve pranë produkteve, janë mashtrimet e tjera që u bëhen qytetarëve për çdo ditë. 

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, kanë thënë se numri i gjobave të shqiptuara nga Inspektorati i Tregut për mashtrim të konsumatorit shkon në më shumë se 100.

Derisa thonë se numri më i madh i gjobave janë shqiptuar në kryeqytet.

“Numri i gjobave të shqiptuara deri më tani për mashtrim të konsumatorit, është 121 si dhe janë iniciuar 45 procedura ne gjykatat kompetente. Komuna e Prishtinës rezulton të jetë njëra ndër Komunat me numër më të madh të gjobave”, kanë thënë nga MTI’ja. 

Sipas këtij institucioni, mashtrimet më të shpeshta që iu bëhen konsumatorëve po del të jenë mospërputhja e çmimeve raft e arkë dhe mos vendosja e çmimeve pranë produkteve.

Për të tilla mashtrime, vlera e gjobave ndaj bizneseve shkon në 1 mijë euro.

“Kryesisht mashtrimet më të shpeshta që iu bëhen konsumatorit janë: mospërputhjet e çmimeve raft – arkë, mos - vendosja e çmimeve në rafte, mos - verifikim të peshoreve, mos - përputhje e peshës së deklaruar. Vlera e gjobave të shqiptuara mesatarisht është 500.00 deri në 1000.00 Euro”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të MTI’së./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat