Trump po çon drejt shkatërrimit sistemin e tregtisë globale

Ekonomi

Trump po çon drejt shkatërrimit sistemin e tregtisë globale

Më: 26 janar 2019 Në ora: 15:34
Ilustrim

Nga Anne O.Krueger, ish ekonomistja kryesore e Bankës Botërore dhe ish-zëvendësdrejtore e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Uashington – Dhjetë vjet pas falimentimit të bankës ‘Lehman Brothers’, ne e dimë se reagimi shumëpalësh, ishte vendimtar në parandalimin që i ashtuquajturi Recesioni i Madh, të bëhej edhe më i madh nga sa ishte. Asokohe, po lëkundej vetë ishte sistemi financiar botëror. Sot është në rrezik sistemi i tregtisë globale.

Gjatë 70 viteve të fundit, multilateralizmi i ka shërbyer botës për mirë. Shtetet e Bashkuara përjashtuan ndëshkimin dhe dëmshpërblimet pas Luftës së Dytë Botërore. Në vend të kësaj, ajo udhëhoqi rrugën për krijimin e tre institucioneve kryesore ekonomike – Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe Organizatës Botërore të Tregtisë – që përbëjnë bazën e ekonomisë ndërkombëtare, që është ende në fuqi sot.

Secili prej këtyre institucioneve, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike globale, por jo më shumë se sa OBT-ja. Për shkak të zgjerimit të një sistemi tregtar të hapur multilateral në kuadër të OBT, tregtia që nga Lufta e Dytë Botërore është rritur 1.5 herë më shpejt se PBB-ja globale.

Megjithëse multilateralizmi nuk është më pak i rëndësishëm sot, se sa ishte gjatë gjithë epokës së pas luftës, kërcënimet ndaj OBT po rriten. Më kryesoret, janë sulmet e vazhdueshme nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, i cili po përpiqet të minojë institucionin, si në letër ashtu edhe në frymë.

Gjatë fillimit të krizës financiare një dekadë më parë, shumëkush u druajt se vendet do të ngrinin barriera të reja tregtare, pasi kjo është ajo që ndodhi në vitet 1930, dhe gjatë recesioneve të tjera të pas luftës. Por kufizimet tregtare u shmangën, kryesisht pasi OBT dhe G20 ndërhynë në lehtësimin e bashkëpunimit shumëpalësh.

Vëllimi global i tregtisë nuk u tkurr në maksimum; dhe deri në vitin 2011, u rikthye në nivelin e tij të para krizës. 164 vendet anëtare të OBT-së, janë zotuar të mbështesin një sistem të hapur multilateral, dhe rregulla dhe procedura të përbashkëta, që synojnë të ndihmojnë në rritjen e këtij sistemi.

Këto rregulla bëjnë për tregtinë ndërkombëtare, atë që kodet tregtare kombëtare bëjnë për kontratat dhe transaksionet ndërmjet palëve, brenda një juridiksioni të dhënë. Sipas rregullave të OBT -së, kompanitë tregtare ndërkombëtare, i nënshtrohen të njëjtave rregulloreve kombëtare si kompanitë kombëtare, dhe tregtarët kanë të njëjtat të drejta si shtetasit në gjykatat e partnerëve tregtarë.

Qeveritë, nuk mund të diskriminojnë anëtarët e tjerë të OBT-së. Tarifat lejohen vetëm në rrethana të caktuara. Dhe shkeljet e supozuara të rregullave, i referohen Trupës së Zgjidhjes së Konflikteve në OBT. Siguria se kompanitë tregtare, do të kenë një trajtim të drejtë rregullator dhe gjyqësor nga qeveritë e vendeve anëtare është thelbësore; dhe parimi i mosdiskriminimit, ka qenë një parim i sistemit të tregtisë globale që nga fillimet e tij. Këto janë dispozitat, që e bëjnë sistemin vërtetë shumëpalësh.

Nën kuadrin e OBT-së, parimi i kombeve më të favorizuara (MFN), lejon negociatat shumëpalëshe të tregtisë midis të barabartëve. Përmes negociatave të tilla, tarifa mesatare e mallrave të prodhuara midis ekonomive të përparuara, është zvogëluar nga mbi 40 për qind në fund të viteve 1940, deri në rreth 4 për qind sot – në dobi të të gjithë anëtarëve.

Mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së (DSM), është gjithashtu jetik për tregtinë globale. Kur autoritetet e një vendi besojnë, se një partner tregtar po shkel rregullat e dakorduara në mënyrë reciproke, ata mund të çojnë rastin e tyre përpara OBT.

Më pas, panelet e arbitrazhit të OBT-së do të marrin në konsideratë argumentet nga secila pale, dhe do të japin ndëshkimet kur vlerësojnë se është e përshtatshme. Nga ana e saj, SHBA-ja ka fituar më shumë se 90 për qind të mosmarrëveshjeve që ka çuar në OBT.

Ashtu si zembereku i një ore mekanike, OBT vepron si mekanizëm i brendshëm i sistemit global të tregtisë. Nuk është e dukshme, por është absolutisht thelbësore që mekanizmi të funksionojë. Dhe megjithatë, përkundër rëndësisë jetike të OBT-së, kjo e fundit po dobësohet. Kërcënimi më i menjëhershëm është DSM.

Të paktën tre gjyqtarë të arbitrazhit janë të nevojshëm për të dëgjuar një ankesë, por administrata e Trump ka bllokuar të gjithë të emëruarit për të zëvendësuar ata që u është mbaruar mandati. Kur të mos ketë kuorum, nuk mund të dëgjohen më raste apelimi, dhe disa vende mund të fillojnë të shkelin rregullat e OBT-së pa u ndëshkuar.

Një kërcënim tjetër i rëndësishëm për kornizën e OBT-së, është përdorimi nga administrata Trump i sigurisë kombëtare, për të justifikuar tarifat e saj diskriminuese për çelikun dhe aluminin e importuar. Natyrisht, SHBA-ja nuk po përballet me një kërcënim të vërtetë kombëtar të sigurisë nga aleatët si Kanadaja apo Japonia, çka do të thotë se tarifat e saj janë sigurisht një shkelje e frymës – dhe ndoshta edhe e germës – së rregullave të OBT.

Tarifat amerikane, kanë minuar tashmë rritjen globale, dhe e kanë dobësuar OBT-në. Në një botë të zinxhirëve të furnizimit ndërkufitar dhe rritjes së ndërlidhjes, ndërprerja e panevojshme e tregtisë së hekurit dhe çelikut, do të rezultojë në prodhim më të ulët jo vetëm në vendet eksportuese, por edhe në SHBA. - shkruan Bota.al, transmeton "BotaSot"

Dhe gjasat që vendet e tjera do të hakmerren, e bëjnë situatën edhe më të rrezikshme. Sidoqoftë, tarifat diskriminuese pothuajse me siguri nuk arrijnë të përmbushin synimin e deklaruar të Trump:një reduktim në pabarazitë bilaterale të tregtisë së SHBA-së.

Bilanci i llogarisë korrente të çdo vendi, është diferenca midis kursimeve të brendshme (publike dhe private) dhe investimeve vendase. Përveç rastit kur kursimet rriten ose investimet bien, hendeku i llogarisë korrente nuk mund të ngushtohet.

Çdo përpjekje për të minuar tregtinë ndërkombëtare – një motor kryesor i rritjes ekonomike globale që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore – do të imponojë në mënyrë të pashmangshme kosto të larta për të gjithë, përfshirë anëtarët e klasës punëtore, që janë baza politike e Trump. Komuniteti ndërkombëtar përtej SHBA-së, duhet t’i rezistojë sjelljeve të Trump, dhe të ripohojë parimet e një sistemi të hapur multilateral – para se të jetë tepër vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat