Të bërit biznes në Kosovë po vështirësohet nga plaçkitjet

Ekonomi

Të bërit biznes në Kosovë po vështirësohet nga plaçkitjet

Më: 27 janar 2019 Në ora: 11:44
Foto ilustrim

Plaçkitjet e mëdha që po ndodhin tash e dy muaj në Kosovë po e vështirësojnë edhe më shumë të bërit biznes në vend.

Përkundër gjitha vështirësive tjera, tashmë dhe klima e të bërit biznes është dëmtuar në aspektin e sigurisë.

Kjo sipas njohësve të ekonomisë po e dëmton edhe imazhin për investitorët e jashtëm që të vijnë në Kosovë për të investuar.

Profesori në kolegjin Rinvest, Muhamet Mustafa thotë se gjitha këto raste të plaçkitjeve janë drastike dhe shteti duhet të veprojë shpejt, pasi nëse kjo bëhet dukuri, Kosova do të hyjë në një fazë shumë të vështirë të punës së saj. 

Mustafa: Këto raste janë drastike, nëse nuk do të ndalen do të jetë shumë problematike

“Këto janë raste drastike, nëse nuk ndalen dhe vazhdojnë atëherë kjo do të jetë një çështje shumë problematike...qoftë se vazhdon më tutje dhe qoftë se ato grupe të cilat bëjnë plaçkitje të tilla nuk neutralizohen atëherë do të jetë fatale...sigurisht që ndikojnë shumë, po shpresoj që këto janë incidentciale, do të tejkalohet, nuk do të vazhdojnë, nëse bëhet dukuri me vazhduar, atëherë Kosova do të hyjnë në një fazë shumë të vështirë të punës së saj”, tha ai.

Ndërsa, njohësi  i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadikaj thotë se të bërit biznes në Kosovë ka qenë shumë i vështirë, e veçmas siç thotë ai, tek rastet e fundit ku bizneset po bëhen cak i grabitjeve.

Për gjitha këto raste, ai kërkoi një reagim më të qartë të institucioneve të Kosovës. Neglizhenca e këtyre të fundit, sipas tij, do të paraqitej një mesazh i keq për gjithë investitorët e jashtëm.

Sadikaj: Për këto raste kërkohet një reagim i qartë i institucioneve

“Për këto raste kërkohet një reagim i qartë i institucioneve, i shtetit ligjor, i sistemit të gjyqësisë, i sanksionimit të bërave të tilla të bizneseve në Kosovë. Në fund të fundit të gjitha këto gjëra negative iu japin një mesazh të keq për mjedisin miqësor të Kosovë...nëse nuk do të kemi reagim të pushtetit ligjor, mesazhet do të ishin negative për investitorët e jashtëm. Kosova nuk duhet të lejoj të bëhet burim i informatave të tilla të zeza për komunitetin e biznesit ndërkombëtar, sepse virusi i të këqijave, atëherë nuk do të kishte të ndalur”, tha ai

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të sigurisë në Kosovë, Avni Islami është shprehur i shqetësuar me gjendjen e sigurisë në vend. Ai thekson se tashmë ka ndërruar dhe mënyra e grabitjeve ku po bëhen me armë të gjata, duke shkaktuar edhe rrezik të përgjithshëm.

Islami ka një kërkesë për gjithë institucionet përkatëse të sigurisë që të ndërtojnë disa mekanizma, ku do të parandaloheshin gjithë këto plaçkitje.

Islami: Institucionet e Sigurisë duhet të ndërtojnë një strategji të mirëfilltë 

“Tek ne po ndodhë diçka e pazakonshme ku kohëve të fundit ka ndërruar mënyra e kryerjes së vjedhjeve të rënda ose plaçkitjeve të cilat po bëhen përmes armëve të zjarrit, ose armëve të gjata, armëve automatike. Kjo po shkakton rrezik të përgjithshëm, jo vetëm tek individët që punojnë brenda objekteve të ndryshme por dhe në përgjithësi qytetarëve të rëndomtë që qëllojnë në vende të ndryshme...këtë vit institucionet e sigurisë, mekanizmat përkatës duhet të ndërtojnë një strategji të mirëfilltë e cila do t’i përgjigjet situatave të caktuara. Pra, çfarëdo mënyre të cilat do të tentojnë të bëhet vjedhje të lehta, apo plaçkitje të rënda, organet sigurisë të jenë të gatshme që të parandalojnë këto dhe të njoftojnë me kohë”, ka deklaruar Islami

Kurse, Policia e Kosovës përmes një përgjigje me shkrim thotë se caqet më të atakuara nga grabitësit kanë qenë bizneset dhe bankat e ndryshme në kryeqytet.

Polica po ashtu bëri të ditur se me qëllim të parandalimit të këtyre ka ndërmarrë disa plane operative, ku janë arrestuar disa persona të dyshuar.

“Me qëllim të parandalimit policia ka realizuar dhe zbatuar plane operative dhe taktike ku janë arrestuar disa persona të dyshuar të involvuar në grabitje të ndryshme”, thuhet në përgjigjen nga zyra e informimit të Policisë së Kosovës.

Po ashtu, bëhet e ditur se prej periudhës janar-nëntor të vitit të kaluar kanë ndodhur 263 raste të grabitjes me armë, e rajoni më i përfshirë sipas tyre është kryeqyteti me 77 raste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat