Kualifikohet investitori i parë strategjik

Ekonomi

Kualifikohet investitori i parë strategjik

Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 17:04
Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka vendosur sot që kompanisë gjermano-izraelite “Sowi Kosova” t’i japë statutin e investuesit strategjik në energjinë e ripërtërirë me erë, në vlerë prej 169 milionë euro.

Ky është investitori strategjik i parë i kualifikuar në bazë të ligjeve që ka Kosova, e këtë kryeministri i vendit Ramush Haradinaj e ka konsideruar si lajm të mirë.

Haradinaj: Është kualifikuar investitori i parë strategjik

“Është kualifikuar investitori i parë strategjik, është një kompani gjermano-izraelite dhe është investim i energjisë me erë, një investim mbi 160 milionë. Një lajm i mirë për Kosovën, lajmi është edhe më i mirë sepse ka kompani të tjera që janë në proces të kualifikimit, pas investimit që e kemi në Contour Global, e që është termocentrale që është investimi më i madh, 1 miliardë e 300 milionë, e ky është investimi i dytë më i madh. Vërtet, sot është një lajm i gëzueshëm me gjithë sfidat e tjera që i kemi si vend, lajm i mirë për ekonominë, për ne, për investitorët do të jetë një lajm i mirë që fakti më në fund ka të kualifikuar një investitor strategjik në Kosovë, në bazë të ligjeve që i kemi akorduar”, tha ai. 

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka ndarë nga rezervat e shtetit 50 mijë euro për Aritë Sylejmanin, e cila ka nevojë për shërim jashtë vendit.

Gjithashtu, Ekzekutivi ka miratuar edhe propozim-vendimin për të kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi dhënien e autorizimit ministrit të Punëve të Brendshme për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për heqjen graduale të kontrolleve në kufirin e përbashkët.

Ndër të tjera, qeveria ka votuar në favor të nismës për aderim të Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat