Nënshkruhet marrëveshja për financimin e projektit për Kadastër të Patundshmërisë

Ekonomi

Nënshkruhet marrëveshja për financimin e projektit për Kadastër të Patundshmërisë

Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 14:52
Pamje nga takimi

Ministri i Financave Bedri Hamza dhe udhëheqësi i Bankës Botërore në Kosovë Marco Mantovanelli, kanë nënshkruar sot marrëveshjen për financimin e projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturës Gjeohapësinore, ndërsa realizimi i projektit do të bëhet përmes Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Me këtë rast ministri Hamza e vlerësoi lart nënshkrimin e kësaj marrëveshje, që sipas tij ka për qëllim të rrisë transparencën dhe cilësinë e administrimit të tokës, kualitetin e të dhënave dhe shërbimeve gjeohapësinore.

“Njëkohësisht, përmes këtij projekti do të përmirësohet cilësia e të dhënave kadastrale duke investuar në avancimin e teknologjisë aktuale, zhvillimin dhe përditësimin e regjistrit të ndërtesave si dhe përmirësimin e kushteve të Zyrave Kadastrale Komunale”, tha ai.

Sipas tij, avancimet që do të arrihen përmes implementimit të kësaj marrëveshje do të jenë shumë-dimensionale, duke filluar nga aspekti institucional dhe ligjor me hartimin e strategjisë së përditësuar të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

“Përmes kësaj marrëveshje do të  ofrohet përkrahja në përgatitjen dhe implementimin e  kornizës ligjore dhe rregullative për Kadastër si dhe zhvillimin e studimeve dhe analizave të tregut të tokës, modernizimi i Kadastrit nëpërmjet zhvillimit dhe përditësimit të regjistrit të ndërtesave dhe renovimeve në Zyrat Kadastrale Komunale, si dhe avancimi i Teknologjisë informative dhe  Komunikimit si dhe infrastruktura gjeohapësinore duke avancuar teknologjinë aktuale në atë të versionit të fundit ”, tha ministri Hamza.

Ndërsa, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën Marco Mantovanelli theksoi se sigurimi i të drejtave pronësore është thelbësor për përmirësimin e rritjes ekonomike dhe zhvillimit të Kosovës, meqenëse të drejtat e definuara mirë janë gurthemel për një ekonomi dinamike tregu.  

“Ky projekt do të ndihmojë që qasja në financa të rritet, ndërsa informaliteti në ekonomi të zvogëlohet, duke ndikuar pozitivisht në tregun e kredive dhe në sektorin bankar komercial, gjë që mund të rezultojë në më shumë investime dhe më shumë vende pune", tha ai.  

Ndryshe, vlera e marrëveshjes është 14.6 milionë euro, e cila karakterizohet si kredi e butë me maturitet afatgjatë prej 30 vjetësh, ku 5 vjet janë grejs periudhë, ndërsa 25 vjet të tjera amortizim i kredisë. Kostoja vjetore apo interesi është 1.35%, gjë që e bën këtë kredi mjaft të volitshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat