OAK: Bizneset e Kosovës po përballen me probleme të mëdha

Ekonomi

OAK: Bizneset e Kosovës po përballen me probleme të mëdha

Më: 11 shkurt 2019 Në ora: 14:32
Oda e Afarizmit të Kosovës gjatë një takimi që kishte sot me bizneset

Oda e Afarizmit të Kosovës gjatë një takimi që kishte sot me bizneset ka diskutuar lidhur me problemet me lëndën e parë, çmimin e ulët si pengesë për aplikim në tender, mungesën e stafit profesional, vështirësitë në procedurat e dhënies së lejeve të punës dhe shumë çështje të tjera.

Kryetari i Bordit të OAK-së, Skënder Krasniqi, gjatë takimit me përfaqësues të kompanisë In design, Veronika Bajçinovci dhe  pronarin e Prestige Media, Bedri Llapashtica, i njoftoi ata për veprimtarinë e OAK-ut, avokimin në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe mbështetjen që iu ofron bizneseve duke ndërmjetësuar në zgjidhjen e problemeve të tyre.

Ndërsa Veronika Bajçinovci prezantoi shërbimet që Indesign ofron e cila brenda saj operon me disa sektor si të tekstilit dhe printimit e shërbime të tjera dhe shpalosi problemet në të cilat po hasin si biznes, siç janë lirimi nga lënda e parë e tekstilit e cila nuk po konsiderohet si lëndë e parë nga Qeveria, dhe obligohen të paguajnë TVSH.

Ajo gjithashtu si shqetësim përmendi edhe faktin se makinat prodhuese nuk po lirohen nga TVSH-ja dhe Dogana si rezultat i barrierave që i vendos me qëllim qeveria duke lozur me mosfutje të kodit tarifor.

Mos lirimi i lëndës së parë për printime të ndryshme, çmimi i ulët si pengesë për aplikim në tender ngaqë fitojnë kompanitë me çmim më të ulët dhe  jo cilësor, mungesa e stafit profesional si rezultat i shkollave që nuk kanë kualitet në përputhje me kërkesën, por japin vetëm diploma dhe ligjet që interpretohen si të duan  në Qeveri, ishin shqetësimet e tjera që i paraqiti në takim përfaqësuesja e kompanisë In Design.

Ndërsa Bedri Llapashtica, pronar i biznesit Prestige Media, ndër të tjera, theksoi se komunat po krijojnë vështirësi në procedurat e dhënies së lejeve të punës, veprohet me baza partiake dhe shumë padrejtësi të tjera që po u shkaktohen bizneseve pa asnjë të drejtë.  

Oda e Afarizmit të Kosovës ka marrë parasysh kërkesat e këtyre bizneseve, të cilat do t’ia drejtojë Qeverisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat