OAK: BSPK të jetë zëri i punëtorëve, jo i Qeverisë

Ekonomi

OAK: BSPK të jetë zëri i punëtorëve, jo i Qeverisë

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 14:28
Oda e Afarizmit të Kosovës

Oda e Afarizmit të Kosovës ka shprehur shqetësimin me deklaratat e kryetarit të BSPK-së Avni Hajdini, i cili kërkon që pushimi i lehonisë të paguhet 6 muaj nga punëdhënësi me 70% të pagës bazë, tre muaj nga Qeveria 100% dhe tre muaj pa pagesë ashtu siç është tani.

OAK kërkon nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe gjithë faktorët e tjerë që të përkrahin propozimin që Qeveria të marrë përsipër 100% pagesën e lehonisë ashtu siç e kanë marrë të gjitha shtetet e rajonit, që do të ndikojë në rritjen e punësimit të femrave.

Statistikat shumë shqetësuese të cilat OAK ka siguruar, tregojnë një shkallë shumë të ulët të punësimit të gjinisë femërore, me vetëm 12% nga 600.000 femra në moshë pune vetëm 70.000 janë të punësuara në krahasim me 48% të meshkujve dhe kjo shkallë e ulët e papunësisë vjen si pasojë e ligjeve të papërshtatshme që kemi.

Oda e Afarizmit të Kosovës kohë më parë ka marrë iniciativën për ndryshim të Ligjit të Punës konkretisht për Pushimin e Lehonisë që të mbulohet 100% nga shteti, ashtu siç e kanë edhe shumë vende të rajonit dhe Evropës, e cila ndikon në rritjen e punësimit të femrave.

OAK për këtë çështje ka realizuar takime me zyrtarët qeveritarë dhe BSPK-në, të cilët kanë premtuar mbështetje në këtë drejtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat