FMN mbështet ATK në modernizimin e procesit të kontrollit tatimor

Ekonomi

FMN mbështet ATK në modernizimin e procesit të kontrollit tatimor

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 11:59
Takimi përmbyllës i ekspertit të Fondit Monetar Ndërkombëtar John Buchanan

Është mbajtur takimi përmbyllës i ekspertit të Fondit Monetar Ndërkombëtar John Buchanan, i cili ka ofruar asistencë teknike dy javore në administratën tatimore për forcimin e programit të saj të kontrollit tatimor dhe proceseve.

Sipas deklaratës për media të ATK-së, gjatë këtij misioni është diskutuar me menaxhmentin e lartë për të mbështetur më tej progresin, dhe për t’i adresuar pengesat për përparimin e vazhdueshëm në këtë fushë.

Gjatë kësaj asistence teknike janë mbajtur dy punëtori me grupin punues që t’i iniciojë teknikat e përditësuara të kontrollit për industrinë e ndërtimit dhe për tatimin e mbajtur në burim.

“Eksperti i FMN-së është shprehur mjaft i kënaqur me bashkëpunimin me zyrtarët e ATK-së, dhe ofrimin e materialeve për fillimin e punës në modernizimin e procesit të kontrollit, dhe ka shprehur gatishmërinë për të përkrahur ATK-në në këtë proces edhe në të ardhmen”, thuhet në deklaratë.

Nga ana tjetër Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj vlerësoi lartë bashkëpunimin me FMN-në dhe njëherit kërkoi që ky bashkëpunim të vazhdojë.

Rikujtojmë se FMN ka mbështetur që nga themelimi ATK-në në zhvillimin dhe implementimin e shumë projekteve, të cilat kanë ndihmuar realizimin e objektivave të administratës tatimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat