Thellohet kriza e grurit në Kosovë

Ekonomi

Thellohet kriza e grurit në Kosovë

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 11:14
Foto ilustrim

Gruri vendor po i mungon tregut edhe pse toka e plleshme bujqësore nuk mungon. Një ndër arsyet e këtij deficiti janë edhe kushtet e pavolitshme atmosferike vitin që shkoi, përfshirë edhe mungesën e reshjeve atmosferike që mbizotëroi gjatë vjeshtës.

Ani pse vlerësohet të jetë kulturë strategjike, gruri megjithatë nuk po kultivohet mjaftueshëm nga bujqit kosovarë. Ani pse Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) thotë se të mbjellat vjeshtore në 30 komuna arrijnë 50 mijë hektarë, të kundërtën e thonë bujqit.

Isuf Cikaqi, drejtor i departamentit të Politikave Bujqësore në MBPZhR, thotë se në vjeshtën e vitit që lamë pas, për shkak të kushteve klimatike fermerët e kanë pasur të pamundur të bëjnë përgatitjen e tokës për të mbjellë grurin.

Ai thotë se meqenëse ka ikur afati optimal, grurë është mbjellë edhe në dhjetor, por që edhe në këtë mënyrë nuk është arritur të sigurohet sasia e nevojshme.

Cikaqi: Sipas të dhënave nga 30 komuna, janë mbjellë rreth 50 mijë hektarë

“Sipas informacioneve nga 30 komuna deri më tani, janë mbjellë rreth 50 mijë hektarë, që i bie në raport me vitin e kaluar rreth 25 mijë hektarë më pak. Shkaktar kryesor ka qenë thatësia që ka mbretëruar në vjeshtë në vitin 2018, ndërsa për rendimente është herët të flasim, pasi që priten kushtet që do të mbretërojnë në pranverë”, deklaron ai.

Cikaqi thekson se në vitin 2018, bujqit kosovarë kishin mbjellë rreth 74 mijë hektarë grurë, prej të cilave janë korrur 73 mijë.

Ndërsa, sipas bujqve vitin që lamë pas është siguruar vetëm rreth 20 për qind e sasisë së nevojshme.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri bënë të ditur se në Kosovën e pasluftës nuk është arritur të punohet më shumë se 60 mijë hektarë nga toka e punueshme.

E mungesa e një infrastrukture adekuate për kultivimin e grurit, sipas tij, është arsyeja kryesore që ka rezultuar me rendimente të ulëta të grurit.

Tahiri: Sivjet nuk kemi kultivuar më shumë se 25 - 30 mijë hektarë grurë

“Prej pas luftës, ne asnjëherë nuk kemi mundur me punu më shumë se 60 mijë hektarë edhe pse Ministria e Bujqësisë del me proklamata se kanë mbjellë deri në 80 mijë hektarë. Nuk është e vërtetë, prej pas luftës, mbi 60 mijë hektarë nuk kemi mujt asnjëherë me i kultivu për shkak të rrethanave të caktuara, mungojnë shumë faktorë, infrastruktura nuk është e nivelit të duhur dhe aty sillet. Kurse, sivjet nuk kemi mundur më shumë se 25 - 30 mijë hektarë, nuk besoj që është shku. Kjo mbetet të verifikohet në teren”, deklaron ai.

Tahiri thotë se duhet blerë grurin pasi që edhe verën e shkuar gruri doli me rendimente të ulëta, fillimisht për shkak të lagështisë të tepërt në pranverë, dhe më vonë për shkak të thatësisë.

Tahiri: 70 për qind të grurit duhet të importojmë

“Nuk kemi arritur me e siguruar as 20-30 për qind, nuk kemi statistika të sigurta nga prodhimi vendor, kështu që 70 për qind të sigurimit të bukës për popullatën na mbetet ta marrim nga importi... Nuk pritet me i plotësuar na as 20 për qind të nevojave me grurë për popullatën e Kosovës, prandaj e apelojmë qeverinë me siguruar rezerva shtetërore për herë të parë sepse deri më tash nuk ka pasur”, deklaron ai.

Menaxheri i kompanisë “Thes Ari”, Bashkim Zenjullahu thotë se viti i kaluar ishte vit i dobët i prodhimit të grurit duke marrë parasysh thatësitë në kohën e pjekjes së grurit, të cilat kanë ndikuar negativisht edhe në kualitet.

Zenjullahu: Presim sasi shumë më të vogël të grurit

“Për sezonin 2018-2019 presim sasi shumë më të vogël të prodhimit por edhe të mbjelljeve sepse fermerët nuk arritën me kohë t’i mbillnin sipërfaqet e planifikuara. Porse tash në fund, ndoshta ka munguar edhe kjo që munguan farat për mbjelljen e këtyre sipërfaqeve”, thotë ai.

Edhe kultivuesi i grurit, Zylfer Sadiku, thotë se klima specifike ka ndikuar në dobësimin e të mbjellave të grurit.

Sadiku: Klima ka qenë e vështirë

“Në pranverë kanë qenë shirat, shumë ka ra shi, ka qenë e ngarkuar dhe ka ardhur tek dobësimi i të mbjellave të grurit. Ka pasur problem për grurë. Ka pas shi shumë dhe tani prej lagështisë një pjesë e grurit ka humbë. Ka mbet gruri më i dobët, ka dalë bari ndërmjet grurit, kështu që me të vërtetë ka qenë pak problem. Mirëpo pas asaj kohe, s’ka pas reshje hiç, ka qenë edhe më problem me e bë mbjelljen e grurit. Tani kemi vonuar me mbjellje të grurit sivjet”, u shpreh ai.

Ndërkaq, nga Dogana e Kosovës bëhet e ditur se që pas vendosjes së taksës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, Kosova ka importuar mbi 23 milionë kilogramë grurë, që kalojnë vlerën prej 5 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat