Privatizimi i Telekomit nuk shkon në Kuvend

Ekonomi

Privatizimi i Telekomit nuk shkon në Kuvend

Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 16:09
PTK

Komisioni për Zhvillim Ekonomik dhe Infrastrukturë në mungesë të vendimmarrjes nuk e ka dërguar në Kuvend vendimin e Qeverisë për Privatizimin e Telekomit të Kosovës dhe është vendosur që në mbledhjen e radhës të këtij komisioni të hidhet sërish në votim.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka mohuar se ka nënshkruar marrëveshje që i lejon kompanisë  “Artillery One” të ketë qasje në menaxhimin dhe financat e Telekomit, duke thënë se ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Telekomit kokë në vete e ka nënshkruar këtë marrëveshje të konfidencialitetit.

Gjatë gjithë mbledhjes kishte akuza dhe kundër akuza mes ministrit Lluka dhe deputetit të VV-së , Glauk Konjufca. Ndërsa, pjesa tjetër e anëtarëve të komisionit e përkrahen privatizimin e kësaj ndërmarrje,  mirëpo theksuan nevojën që gjatë gjithë këtij procesi të ketë transparencë.

Ministri Lluka ka arsyetuar privatizimin e Telekomit duke thënë se kjo duhet të ndodhë, pasi ka probleme që janë akumuluar me vite dhe proceset e humbura gjyqësore po e rrezikojnë qëndrueshmërinë dhe falimentimin e kësaj ndërmarrjeje.

Sipas tij, fillimisht duhet të rikonstruktohet Telekomi, pastaj të merret vendimi për privatizim. Siç tha ai, qëllimi është që 49 për qind e aksioneve të mbesin në kuadër të shtetit, ndërsa 51 për qind të privatizohen.

Lluka: Këtij procesi privatizues t’i paraprijë vlerësim i drejtë për ndërmarrjen

“Problemet e akumuluara ndër vite, trendët globalë të zhvillimit tekniko-teknologjik, vendimet paraprake dhe proceset jo të suksesshme për privatizime të pjesshme të kësaj ndërmarrje, si dhe proceset e shumta gjyqësore të humbura kanë provokuar gjendje të rëndë financiare, duke pamundësuar zhvillimin më tej të saj. Sot po flasim seriozisht rrezikojmë likuidimin e tërësishëm dhe qëndrueshmërinë në treg të Telekomit. Këtij procesi privatizues do t’i paraprijë vlerësim i drejtë dhe paraprak të ndërmarrjes transparencë, konkurrencë dhe partner serioz”, tha ai.

Deputeti Konjufca kishte akuza të shumta ndaj ministrit, Lluka, duke thënë se ky i fundit duhet të ndërpresë menjëherë kontratën e me “Z Mobile”, pasi kjo po dëmton çdo vit 9 deri 11 milionë euro buxhetin e Kosovës.

Konjufca: Keni mbetur ende zyrtar i Z mobile, qysh keni qenë viteve të kaluara

“Me këtë që po e bëni, nuk jeni fort ministër i Republikës së Kosovës, por keni mbetur ende zyrtar i Z Mobile, qysh keni qenë viteve të kaluara para se me u bë ministër. Për shkak se ju e keni në kompetenca tërësisht këtë kontratë të dëmshme. Kjo kontratë është duke e zhvatur buxhetin e Kosovës. Zhvatja është prej 9 milionë deri në 11 milionë në vit. Ju duhet me ndërpre këtë, i keni gjitha kompetencat. Më 5 shkurt të këtij viti është nënshkruar marrëveshja e konfidencialitetit me një kompani “Artillery One”, e cila në konto i ka vetëm 1000 euro. Për mua kjo është shumë e dyshimtë, pak më e dyshimtë sesa Aksosi që ka qenë”, tha Konjufca.

Ministri Lluka duke përmendur marrëveshjen e konfidencialitetit me kompaninë “Artillery One”, tha se do të sigurohet  që asnjë kompani fantome të mos ketë qasje në privatizimin e Telekomit. Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar me ta nuk është financiare, por vetëm për qasje në të dhëna.

Lluka: Është një marrëveshje me pas qasje në të dhëna

“Është e vërtetë që kam punuar, po flasim para dhjetë viteve, 2009, kam punuar punëtor i thjeshtë, s’kam pas lidhje me kontratë. Ajo që është me rëndësi është që ka qenë para 10 vjetëve dhe nuk ka të bëjë fare me prezencën time këtë mandat. Ajo çka është me rëndësi është që kontrata me Z Mobile gjithë e dinë si ka ndikuar në Telekom, por çka është shumë me rëndësi është që skadon në qershor të këtij vitit 2019. “Artillery One” është një kompani amerikane që ka shpreh interesim për privatizim të Telekomit dhe siç kanë shpreh disa kompani tjera, dy prej tyre me shkrim. Nuk i njoh, për herë të parë i kam takuar në zyre. Artillery One nuk ka fituar asgjë...Artillery One ka nënshkruar një marrëveshje, qysh kam dëgjuar  më herët në media, nuk është marrëveshje financiare, është një marrëveshje me pas qasje në të dhëna si interesim që kanë pasur për privatizim...”, tha ai

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, kishte disa pyetje për ministrin Lluka, nëse janë katër kompani që kanë shprehur interesim, sa prej tyre kanë nënshkruar marrëveshje të konfidencialitetit dhe se a është bërë gabim t’i jepet ndonjë kompanie qasje në gjitha çështjet që kanë të bëjnë me financa dhe menaxhim.

Krasniqi: Mos është bërë një gabim i paqëllimshëm në hapa

“Proceduralisht, a është kjo e ligjshme? A është në kuptimin procedural e rregullt për arsyen, se edhe nuk ka një vendim që e lejon privatizimin dhe nëse një vendim i tillë nuk ekziston? Mos është bërë një gabim i paqëllimshëm në hapa për t’i dhënë hapësirë cilësdo kompani të interesuar pa paralajmërim të ketë qasje në data roaming që e përmendët që nënkupton me pas akses në gjitha çështjet që ndërlidhen me financa me menaxhim”, u shpreh Krasniqi.

Ministri Lluka tha se ai e ka refuzuar një kërkesë të kësaj kompanie për qasje të detajuara të Telekomit, mirëpo pa dijen e qeverisë, ushtruesi i detyrës së Telekomit e ka nënshkruar një marrëveshje të tillë.

Sipas tij, kjo është një gjë e gabueshme dhe pa u formuar komiteti për privatizim, askush nuk ka të drejtë të japë marrëveshje  të konfidencialitetit.

Lluka: Askush nuk ka të drejtë të japë marrëveshje të konfidencialitetit

“Është shumë me rëndësi me cek, pas takimit që kam pasur me “Artillery One”, e kanë dërguar një kërkesë, ku kanë kërkuar qasje ekskluzive për 6 muaj për marrjen e gjitha informatave. Një gjë të tillë  nuk i kam ofruar dhe i kam thënë se përveç të dhënave publike, asnjë e dhënë tjetër nuk mund të jepet për arsye se ende nuk është hapur procesi i privatizimit. Këta e keni me shkrim. Tash qysh ka ardhur që “Artillery One” ka nënshkruar direkt me “Telekomin”, qysh e kam pa unë në të njëjtin artikull që po i referohesh, është nënshkruar direkt me ushtruesin e detyrës së krye shefit ekzekutiv të Telekomit, nuk është vendim i Qeverisë. Është direkt vendim i menaxhmentit të lartë të Telekomit. Pa e formuar komiteti për privatizim, askush nuk ka të drejtë me dhënë marrëveshje  të konfidencialitetit”, tha ministri Lluka

Ndërsa, deputeti nga radhët i LDK-së, Lutfi Zharku tha se përkrah privatizimin e Telekomit, mirëpo nuk mund të votohet një vendim të tillë pa e pasur një raport të detajuar se në çfarë forme të privatizohet.

Zharku: S’mund të votojmë pa raport të hollësishëm

“Në parim si koncept LDK-ja e përkrah privatizimin e ndërmarrjeve publike apo shoqërore, cila do është ajo. Me gjithë atë, nuk mundemi këtu me votuar një vendim të tillë, nëse nuk e kemi një raport të hollësishëm i cili është dashur të përgatitur Bordi i drejtorëve për aksionarëve në përputhje me nenin 7.2. Përderisa nuk e kemi një raport të tillë të hollësishëm me të cilin ju si qeveri e keni bërë më të arsyeshëm që të shkohet në privatizim se sa në format tjera, që e kemi biseduar herën e kaluar, ne nuk mund të përkrahim”, deklaroi deputeti Zharku.

Ndryshe, Komisioni Qeveritar për Privatizim të Telekomit do të kryesohet nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, dhe në përbërje do të jetë edhe ministri i Financave, ai i Tregtisë dhe Industrisë, Infrastrukturës dhe Transportit dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat