Kosova ka nevojë për strategji gjithëpërfshirëse ekonomike

Ekonomi

Kosova ka nevojë për strategji gjithëpërfshirëse ekonomike

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 13:31
Kështu u tha në debatin “Përgjigje ndaj sfidave të rritjes ekonomike”, të Institutit Riinvest

(E plotësuar) - Produktiviteti i ulët është ndër shkaktarët kryesorë të mos zhvillimit ekonomik në Kosovë, ku situata ekonomike karakterizohet me papunësi të lartë 27-30 për qind dhe deficit të lartë tregtar 30-35 për qind të GDP-së dhe se për këtë nevojitet një strategji mbarëkombëtare, e cila do të adresonte problemet.

Kështu u tha në debatin e sotëm “Përgjigje ndaj sfidave të rritjes ekonomike”, organizuar nga Instituti Riinvest, ku u tha se ndonëse e përmirësuar nga 1.2 për qind në vitin 2014 në rreth 4 për qind në dy vjetët e fundit, Kosova ende nuk ka arritur të adresojë suksesshëm papunësinë.

Enisa Serhati, hulumtuese në Institutin Riinvest, e cila prezantoi raportin "Çështjet që frenojnë zhvillimin në Kosovë - përgjigje ndaj sfidave të rritjes ekonomike", tha se në Kosovën e pasluftës ka pasur një rritje ekonomike jo proporcionale me punësimin.

Sipas saj, Kosova nuk ka tendencë për rritje ekonomike afatgjate dhe të qëndrueshme.

Serhati: Rritja ekonomike bazohet në shpenzimet e qeverisë dhe konsum

“Rritja ekonomike ka qenë pozitive që prej pasluftës, shumë shpesh e krahasojmë me rënien dhe duket se po performojmë më mirë, mirëpo duke i pasur parasysh nevojat për zhvillim ekonomik në Kosovë nuk është e mjaftueshme. Ka qenë një rritje ekonomike jo e njëtrajtshme, është e bazuar në shpenzimet e Qeverisë dhe në konsum. Konsumi shumë shpesh është konsumi i amvisërive, shumë shpesh ka qenë i financuar nga remitencat. Rritja ka qenë jo proporcionale ën rritjen e punësimit, pra papunësia ka vazhduar të jetë rreth 1 e katërta e fuqisë punëtore e papunë dhe sidomos është më e lartë në mesin e grave dhe të rinjve. Rritja ka qenë e pashoqëruar me rritje të produktivitetit të fuqisë punëtore. Përkundër faktit që produktiviteti i fuqisë punëtore në Kosovë është i ulët, pagat janë më të larta, duke e bërë kështu ekonominë jo të favorshme për zhvillim dhe konkurrueshmëri”, tha Serhati.

Ndërsa Alban Zogaj nga kolegji Riinvest, tha se është vështirë të gjendet një model, i cili do të ndihmonte rritjen ekonomike në të gjitha vendet. Sipas tij, një ndër arsyet pse Kosova ka mos zhvillim të ekonomisë është produktiviteti i ulët.

Zogaj: Problemi kryesor i rritjes ekonomike është produktiviteti i ulët

“Një prej problematikave kyçe të rritjes ekonomike është produktiviteti i ulët. Një vend është i zhvilluar dhe është i pasur aq sa di të prodhojë produkte të ndryshme. Deri vonë kemi menduar se specializimi dhe aftësia konkurruese janë zgjidhja e problemit, tani kemi një teori të re mes ekonomistëve - diversifikimi dhe diversiteti i produkteve të prodhuara. Duhet të prodhohen sa më shumë produkte që është e mundur në mënyrë që të ketë rritje sa më të lartë”, tha Zogaj.

Sipas tij, ka dy lloje të rritjes: rritja ekstensive, që nënkupton se shteti është i aftë të shtojë produkte të reja në gamën e produkteve, dhe rritja intensive, që është rritja e sasisë së produkteve ekzistuese.

Pëllumb Çollaku, bashkautor i hulumtimit, i cili mori pjesë në debat përmes ‘Skype’, tha se Kosova ka nevojë për unitet politik dhe strategji gjithëpërfshirëse, e cila do të rriste aftësinë konkurruese, pasi modeli i deritashëm i rritjes ekonomike nuk mund të ofrojë rritje të qëndrueshme.

Sipas tij, ndër pikat kryesore me të cilën po përballet ekonomia kosovare është mungesa e një produkti konkurrent në rajon.

Çollaku: Kosovës i duhet një kornizë gjithëpërfshirëse ekonomike

“Çka unë e shoh që mungon është një lloj kornize gjithëpërfshirëse ekonomike mbarëkombëtare, me një adresë kryesore, e cila do t’i koordinonte politikat e integruar për t’i adresuar shumicën e problemeve që i përmendi Albani. Një lloj grupi i unitetit, mbase për emergjencë të zhvillimit ekonomik në Kosovë, do të ishte një lloj institucioni i duhur në momentin në të cilin ne aktualisht gjendemi. Nëse i shohim komponentët e GDP-së, shohim se 85 për qind të GDP-së është komplet në konsum”, u shpreh Çollaku.

Ai theksoi se ligji i ri i pagave mund të ketë efekte negative, pasi që mund të rritë ngarkesën e komponentëve të shpenzimeve të Qeverisë, prej 1/3 sa është aktualisht mund të arrijë në 50 për qind.

Ndërsa profesori Muhamet Mustafa tha se problemi i rritjes ekonomike qëndron në aktivitetin e pamjaftueshëm investues në Kosovë, sidomos në sektorin privat.  Sipas tij, për një vend që ka nevojë të rrisë normën ekonomike, norma e dëshirueshme e investimeve duhej të jetë rreth 32 për qind.

Mustafa: Sektori i shërbimeve po zbut deficitin e madh tregtar në vend

“Kemi një periudhë prej dy dekadash dhe parimisht është dashur të kemi më tepër rezultate. Është interesant sektori i shërbimeve, i cili po zbut shumë bilancin tregtar të Kosovës, deficitin e madh tregtar. Këtu e kam eksportin, është rrit më shumë, sepse kemi 1 miliard e 700 milionë mallra dhe shërbime, ku diku 1 miliard e 200 janë shërbime”, u shpreh ai. 

Ndryshe, raporti "Çështjet që frenojnë zhvillimin në Kosovë - përgjigje ndaj sfidave të rritjes ekonomike", rekomandon të ketë rritje ekonomike gjithëpërfshirëse, përkrahje për sektorët industrialë me potencial e avancim të aftësisë konkurruese, politika për promovimin e eksporteve, masa të integruara për të rritur zhvillimin e investimeve vendore dhe të jashtme në sektorë të prodhimit dhe shërbimeve me vlerë të lartë të shtuar, si dhe përmirësim të kualitetit të qeverisjes e rritje të kapaciteteve të administratës drejt sundimit të ligjit. 

***

Situata ekonomike në Kosovë karakterizohet ende me papunësi të lartë 27-30 për qind dhe deficit të lartë tregtar 30-35 për qind të GDP-së dhe se për këtë nevojitet një strategji mbarëkombëtare, e cila do të adresonte problemet.

Kështu u tha në debatin “Përgjigje ndaj sfidave të rritjes ekonomike”, të Institutit Riinvest, ku u tha se rritja ekonomike e cila ka vazhduar gjatë gjithë dekadës, nuk ka qenë e qëndrueshme dhe as afër nivelit të domosdoshëm karshi sfidave të zhvillimit të Kosovës, ndërsa ka pasur edhe mungesë të investimeve.

Enisa Serhati, hulumtuese në Institutin Riinvest, e cila prezantoi raportin "Çështjet që frenojnë zhvillimin në Kosovë - përgjigje ndaj sfidave të rritjes ekonomike", tha se në Kosovën e pasluftës ka pasur një rritje ekonomike jo proporcionale me punësimin.

"Nga kreditë që merren nga bizneset e Kosovës, 50 për qind shkon në tregti dhe vetëm 12 për qind shkon në prodhim. Pra, janë kryesisht sektor të shërbimit. 60-90 milionë euro, që është një shumë e vogël për të shtyrë përpara zhvillimin e industrisë”, tha ajo.

Alban Zogaj nga kolegji Riinvest, tha se është vështirë të gjendet një model, i cili do të ndihmonte rritjen ekonomike në të gjitha vendet. Sipas tij, një ndër arsyet pse Kosova ka mos zhvillim të ekonomisë është produktiviteti i ulët.

"Një vend është i pasur aq sa mundet të prodhojë produkte të ndryshme. Duhet të prodhojmë sa më shumë produkte që është e mundur në mënyrë të ketë rritje sa më të lartë. Kemi dy lloje të rritjes, rritje ekstencite, që nënkupton se shteti është i aftë të shtojë produkte të reja në gamën e produkteve, dhe tjetra rritja intensive, që është rritja e sasisë së produkteve ekzistuese", u shpreh ai.

Pëllumb Çollaku bashkautor i hulumtimit, tha se Kosova ka nevojë për unitet politik dhe strategji gjithëpërfshirëse, të cilat rrisin aftësinë konkurruese të Kosovës, pasi modeli i deritashëm i rritjes ekonomike nuk mund të ofrojë rritje më të madhe të qëndrueshme.

Sipas tij, ndër pikat kryesore me të cilën po përballet ekonomia kosovare është mungesa e një produkti konkurrent në rajon.

"Çka unë e shoh që mungon është një lloj kornize ekonomike mbarëkombëtare e cila do t'i adresonte shumicën e problemeve. Nëse e shohim GDP-n, e shohim se 85 për qind e saj është në konsum", u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat