OEAK kundërshton ‘favorizimin e ndërmarrjeve publike përmes blerjes pa tender të shërbimeve të tyre’

Ekonomi

OEAK kundërshton ‘favorizimin e ndërmarrjeve publike përmes blerjes pa tender të shërbimeve të tyre’

Më: 1 mars 2019 Në ora: 10:56
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përmes një reagimi për media shpreh shqetësimet e saj lidhur me favorizimin e ndërmarrjeve publike, përmes aplikimit të siç thotë OEAK gabueshëm të dispozitave për blerjet “brenda shtëpisë” përmes të cilave autoritetet publike blejnë shërbime nga ndërmarrjet publike në kundërshtim me dispozitat kushtetuese, Ligjin e Prokurimit Publik, si dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

“Kjo praktikë e gabueshme që cenon trajtimin e barabartë të ndërmarrjeve publike dhe private buron nga një interpretim jo i drejtë i bërë nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik lidhur me nenin 9.4 të Ligjit mbi Prokurimin Publik, i cili parasheh që nëse autoriteti kontraktues është autoritet publik, autoriteti i tillë publik duhet të marrë masa të arsyeshme për t’u siguruar se lëndët që i përmbushin këto nevoja nuk janë në dispozicion nga ndonjë autoritet tjetër publik”, thuhet në reagimin e OEAK.

Megjithatë Oda Amerikane thekson se ndërmarrjet publike në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si “autoritete publike”, prandaj praktika e blerjes së shërbimeve të tyre nga ana e autoriteteve kontraktuese përmes dispozitave të “prokurimit brenda shtëpisë” duhet të ndërpritet, meqë cenon konkurrencën e drejtë.

“Favorizimi i ndërmarrjeve publike sipas kushteve të sipërcekura është në kundërshtim me parimet thelbësore të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë, të rregulluar me Nenin 10 dhe 119 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjithashtu, Neni 13 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike përmban dispozita të qarta sipas të cilave të gjitha ndërmarrjet publike, pa asnjë përjashtim, i nënshtrohen ligjeve, rregulloreve dhe akteve nënligjore të cilat i rregullojnë shoqëritë tregtare në pronësi private”, theksohet tutje në reagim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat