OAK: Ministria e Bujqësisë premton zgjidhje të problemit të sektorit minerar

Ekonomi

OAK: Ministria e Bujqësisë premton zgjidhje të problemit të sektorit minerar

Më: 8 mars 2019 Në ora: 15:09
Pamje nga takimi

Dorëzimi i kërkesës për shfuqizimin e udhëzimeve administrative të cilat janë në kundërshtim me ligjin dhe po e pengojnë zhvillimin e vendit, ishin arsyeja e takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit me Ministren e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zhiviç.

Kryetari i bordit Skënder Krasniqi theksoi se OAK identifikuar disa probleme që po e pengojnë zhvillimin e disa sektorëve të biznesit dhe ka bërë kërkesa të vazhdueshme për shfuqizimin e udhëzimeve.

OAK nëpërmjet një komunikate njoftin se ka përcjellur kërkesa të vazhdueshme te ish ministri Rikalo, kryeministri dhe institucionet e tjera të vendit, por deri më tani ende nuk është marrë një vendim konkret.

Krasniqi theksoi se OAK së bashku me bizneset ka bërë edhe një peticion të cilën e ka dorëzuar te kryeministri Haradinaj dhe ish ministri Rikalo, i cili kërkon shfuqizimin e udhëzimit administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit administrativ të datës 27.12.2006 për ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore, ku ligji për miniera dhe minerale e lejon biznesin të kërkojë hapësirë aq sa i nevojitet për të realizuar veprimtarinë e tij, ndërsa udhëzimi administrativ Nr.10/2010 e kufizon licencën në vetëm 5 hektarë.

“Udhëzimin Administrativ MA – Nr 12/2005 paragrafi 1.b i nenit 8  obligon bizneset të paguajnë për shfrytëzim të pyjeve dhe tokës pyjore për destinime tjera  ku vlera e shtimit vjetor të masës drunore për 25 vjet për pyjet cungishte dhe 60 vjet për pyje trungishte pa e shfrytëzuar atë pjesë; Udhëzimin Administrativ MA-Nr.16/2007 Neni 1 paragrafi 7 që obligon bizneset të paguajnë taksë 0.20€ për vit për ndërtim të përkohshëm, që është një kosto shumë e lartë prej 2000 euro për ha; Vendimin për Ndalimin e Ndërrimit të Përkohshëm të Pasurisë së Paluajtshme të MBPZHR i datës 20/07/2010; Gjithashtu OAK ka dërguar këtë kërkesë edhe në mbledhjen e Shkurtit në KKZHE”, thuhet në komunikatë.

Ministrja Zhiviç premtoi që së bashku me ekipin e saj do të i shqyrtojnë këto kërkesa dhe premtoi zgjidhjen e problemit të evidentuar.

Ajo po ashtu u shpreh e gatshme që së bashku me Odën e Afarizmit edhe të i vizitoj bizneset dhe të njihet për së afërmi me problemet me të cilat ata ballafaqohen. Ajo shtoi se do të bëjë përpjekje maksimale në eleminimin e barrierave që janë në kompetencë të MBPZHR.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga kryetari i bordit Skënder Krasniqi, anëtari Hysni Zogaj, koordinatorja Qendresa Ibrahimi dhe avokati Edon Bibaj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat