MIT financon projekte infrastrukturore lokale në Prizren

Ekonomi

MIT financon projekte infrastrukturore lokale në Prizren

Më: 19 mars 2019 Në ora: 14:43
Pamje nga takimi

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ministri Pal Lekaj, të martën priti në një takim pune kryetarin e Prizrenit Mytaher Haskuka, më të cilin nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e projekteve të reja infrastrukturore lokale në këtë komunë.

Komuna e Prizrenit me anë të kësaj marrëveshje me MIT-në, përfiton 400,000 euro për vitin 2019.

Lekaj dhe Haskuka nënshkruan edhe aneksin e memorandumit paraprak për financim të projekteve që veçse janë duke u zhvilluar në Prizren.  MIT-ja merr përsipër financimin e asfaltimit të rrugës Lubizhdë - Skrobizhdë, ku për këtë vit janë ndarë mjetet prej 50,000 euro dhe asfaltimin e rrugës Prizren – Velezhë, në vlerë prej 50,000 euro.

Ministri Lekaj kërkoi nga kryetari Haskuka që realizimi i projekteve të financuara nga dikasteri që ai drejton, të bëhet me cilësi dhe sipas afateve kohore të parapara. Ai i premtoi kryetarit se mbështetja nga niveli qendror i qeverisjes, pa dallim bindjesh, nuk do të mungojë edhe në të ardhmen.

I pari i MIT-së e njoftoi kryetarin e Prizrenit se për këto projekte janë të parapara edhe mjetet buxhetore për vitet që pasojnë deri në realizimin final të tyre. Ndërkaq e informoi të parin e kësaj komune se shumë shpejt do të fillojnë investimet edhe në hyrjen e Prizrenit nga ana e Gjakovës, projekt ky që financohet nga kredia e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kryetari i Prizrenit e falënderoi ministrin për këtë mbështetje, duke u zotuar se projektet e financuara nga MIT-ja do të realizohen në afatet e parapara. Ai shtoi se mbështetja për komunën që ai drejton, nënkupton mbështetje direkte për qytetarët, të cilëve po u kthehen taksat nëpërmjet investimeve në infrastrukturë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat