OSHP: Policia dhe Prokuroria ushtrojnë presion në gjykatën e tenderëve

Ekonomi

OSHP: Policia dhe Prokuroria ushtrojnë presion në gjykatën e tenderëve

Më: 20 mars 2019 Në ora: 10:41
Komisioni për Buxhet dhe Financa

(E plotësuar) - Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit(OSHP), i kryesuar nga Blerim Dina janë në hall të madh nga policia dhe prokuroria për kryerjen e detyrës së tyre zyrtare.

Madje, në komisionin për Buxhet dhe Financa, kryetari i këtij Bordi, Blerim Dina gjatë raportimit tha se nëse vazhdojnë të kenë presion të tillë, janë të detyruar edhe të dorëhiqen.

Për këtë çështje një shkresë numër 198/19 të datës 26 shkurt 2019 e kryetarit  dhe dy anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, i është dërguar kryetarit të kuvendit të Kosovës.

Kjo letër i ka shqetësuar të gjithë anëtarët e Komisionit, përveç anëtares nga PDK-ja, Safete Hadërgjonaj, e cila u shpreh se nuk e ka kuptuar pse është shkruar letra në fjalë.     

Kryetari i Komisionit Lumir Abdixhiku duke lexuar disa pjesë të shkresës, tha se presioni në OSHP nuk është i rastësishëm.

Abdixhiku: Letra është bukur shqetësuese, OSHP është duke u përballur me presione të mëdha

“Letra është bukur shqetësuese, sepse ju keni shkruar  dhe po ju citoj: “OSHP është duke u përballur me presione të mëdha nga ana e policisë dhe prokurorisë”, të cilat presione janë duke penguar institucionin tuaj në ushtrimin e kompetencave. Keni thënë po ashtu se pothuajse për çdo vendim që e merrni nga ana e OSHP-së, policia e Kosovës me vet iniciativë kërkon dosjen e tenderëve. Dhe keni thënë se në baza ditore takojmë policë të cilët enden nëpër zyrat e OShP-së. Këtë e keni quajtur presion në punën tuaj. Dhe keni paralajmëruar në fund se në qoftë se vazhdon presioni I tillë, do të ruani integritetin personal, që e kam kuptuar si dorëheqje e gjithë bordit”, tha Abdixhiku.     

Blerim Dina tha se për çdo lëndë janë të detyruar të shkojnë edhe të raportojnë në shumicën e stacioneve policore, gjë e cila po shkakton që brenda një muaj gati nuk mund të punojnë në OSHP për shqyrtimin e lëndëve tenderuese.

Dina: Raportimi në polici po na merr kohë

“Jemi shqetësuar shumë, sepse është numri I madh I ankesave. A me punuar me ankesa, a me shkua nëpër stacione policore me raportua për vendimet që domi me i marrë apo për vendimet që i kemi marrë. Për një lëndë shkojmë raportojmë te policët e krimeve ekonomike, pastaj prapë te prokurori për rastin e njëjtë. Kjo neve po na merr kohë. Për një rast duhet me raportua tri apo katër ditë, tëk një anëtar, tani i vije radha anëtarit tjetër, dhe një muaj po shkon pa punuar fare në OSHP , veç duke u marrë me raste të krimeve ekonomike. Ne e kemi parë si shqetësim këtë çështje. Nëse pala është e kënaqur duhet me i ndjekë rrugët ligjore jo nëpër stacione policore”, tha Dina.

Dina është shprehur se nuk i dinë arsyet e policisë dhe prokurorisë për ndërhyrjen e tyre në lëndët tenderuese në shqyrtim, pas ankesave nga operatorët ekonomikë.

Dina: Nëse vazhdon kështu ne kemi thënë se shkojmë në shtëpi

“Për atë ne jemi shqetësuar dhe nëse vazhdon kështu ne kemi thënë se shkojmë te shpia dhe nuk ka kushte për punë aty, nuk mund të vazhdojmë të punojmë me atë presion. Motivet e tyre nuk i di. Nuk e di pse, ata e dinë më mirë pse na bëjnë presion, por ne mundemi me thënë se kemi presion”, tha Dina.

Ndërsa, anëtarja Arbërije Nagavci duke thënë se është shqetësuese përmbajtja e shkresës nga një organ shumë i rëndësishëm, ka pyetur kryetarin e OSHP-së nëse ka ndonjë rast tenderues që është specifik për ndërhyrjet në vendimmarrje.

Nagavci: A ka presion për të gjitha vendimet

 “Po provoj me kuptuar se a ka ndonjë rast specifik. Apo ndodhë në vazhdimësi për të gjitha vendimet që ju i merrni dhe për të gjithë anëtarët?”, ka pyetur deputetja Nagavci.

Dina është përgjigjur se këto ndërhyrje ndodhin në vazhdimësi, dhe ajo që është thënë nga drejtori i policisë, thuhet se policia ndërhynë me urdhër të prokurorit, edhepse policia nuk prezantojnë urdhëresa të prokurorit.

Ndërsa, Naser Osmani, anëtar tha se shkresa është mjaft shqetësuese, dhe siç tha ai, nëpërmjet kësaj letre është thënë ajo që nuk është thënë nga askush hiq deri më tash.

Ai konsideron që asnjë institucion, as i drejtësisë, më së paku edhe policia mundet me ndërhyrë para një vendimi të marrë në OSHP. 

Osmani: Ushtrim i ndikimit për qëllime korruptive

 “Përderisa ka interesim pa u kryer lënda, kjo ndryshe nuk kuptohet përpos ushtrim i ndikimit për qëllime të tjera korruptive ose të shantazhit”, deklaroi Osmani. 

Edhe Blerim Kuqi, anëtar Komisioni nga AAK, tha se OSHP-ja  është autoriteti më i lartë në Kosovë dhe duhet të jetë i pavarur në marrjen e vendimeve, dhe sipas tij, në qoftë se policia dhe prokuroria ndikon në marrjen e vendimeve, kjo është e pa tolerueshme.

Kuqi: Është njëra prej letrave më absurde prej institucioneve tona

“Ajo letër mua mu ka dukur njëra prej letrave më absurde prej institucioneve tona që kam marr ndonjë herë ose që kam parë ndonjë herë. Ajo që e di ju jeni të pavarur në marrjen e vendimeve. Jeni autoriteti më i lartë në Kosovë dhe jeni të pavarur në marrjen e vendimeve. Në qoftë se policia dhe prokuroria përzihet për marrjen e vendimeve ata e kanë gabim, kjo është çështje shumë serioze”, tha Kuqi.

Ndërsa, Safete Hadërgjonaj nga PDK, e cila tha se presioni i bërë ndaj OSHP-së duhet të ndalet , ndërsa tha se nuk po arrin ta kuptoj pse është shkruar kjo shkresë në këtë formë drejtuar Kuvendit.

Hadërgjonaj: Nuk e kam kuptuar pse është shkruar letra

“E kam lexuar, mu ka dukë letër interesante dhe nuk e kam kuptuar pse është shkruar. Mirëpo unë nuk e di a ka ndodhur në çdo rast të shqyrtimit të lëndëve që kanë qenë policia aty, apo ka qenë ndonjë rast specifik. Ne e dimë që ka shkruar letrën OSHP-ja, por nuk dimë më gjatë”, theksoi Hadërgjonaj.  

Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, nuk pati vendimmarrje për miratimin e raportit vjetor dhe për shkresën drejtuar kryetarit të Kuvendit nga OSHP-ja.

***

Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa ka diskutuar lidhur me shkresën e kryetarit dhe dy anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, të dërguar në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Komisionit Lumir Abdixhiku theksoi se kryesuesi pati thënë se në bazë të kësaj letre OSHP ka presion nga policia dhe prokuroria për shqyrtimin e tenderëve, dukuri kjo që është shqetësuese.

“Presioni në OSHP nuk është i rastësishëm. Vërejtje të mëdha për ‘tenderomaninë’ ka pasur çdo herë nga raporti i progresit”, deklaroi Abdixhiku.

Sipas tij, është shqetësuese që policia të marrë lëndët e OSHP dhe të qëndrojë nëpër korridoret e objektit të këtij institucioni duke ndërhyrë në punën drejtuesve të OSHP.

Blerim Dina, kryetar i Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, tha se nuk i di arsyet e policisë dhe prokurorisë për ndërhyrjen e tyre në lëndët tenderuese në shqyrtim, pas ankesave nga operatorët ekonomikë.

“Nuk i di arsyet pse na bëhet presion, por vërtet kemi presion. As nuk na prezantohen njësitet policore kur futen në OSHP”, tha Dina para anëtarëve të Komisionit gjatë raportimit për raportin e njëvjeçar.

Ndërsa, deputeti Blerim Kuqi tha se kjo letër duhet të shqyrtohet seriozisht, ngaqë sipas tij, nuk duhet lejuar të ndodhë kjo nga ana e policisë.

Po ashtu edhe Naser Osmani, anëtar i Komisionit, tha se kjo dukuri duhet të parandalohet dhe të lejohet OSHP të kryejë punën e saj. Osmani tha se nuk duhet lejuar presionin në vendimmarrje të këtij organi.

Edhe Safete Hadërgjonaj tha se presioni i bërë ndaj OSHP-së duhet të ndalet.

“OSHP duhet të kërkojë nga policia arsyen e këtij presioni, dhe të kuptohet nga  kush po ndodh kjo ndërhyrje”, tha ajo.

Ndërsa nuk pati vendimmarrje për miratimin e raportit vjetor dhe për shkresën drejtuar kryetarit të Kuvendit nga OSHP.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat