Lansohet programi për mbështetjen e konkurrueshmërisë së NVM-ve

Ekonomi

Lansohet programi për mbështetjen e konkurrueshmërisë së NVM-ve

Më: 20 mars 2019 Në ora: 12:59
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka prezantuar sot Programin për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka prezantuar sot Programin për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme bashkëfinancuar nga BE-ja dhe BERZH-i, program i cili ju ofron ndërmarrjeve një paketë me kredi, grante për investim dhe asistencë teknike.

Programi për Mbështetjen e Konkurrueshnërisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Kosovë synon të përmirësojë konkurrueshmërinë e NVM-ve dhe mundësitë e tyre për tregtim në rajon dhe me shtetet e BE-së, përmes investimeve të selektuara dhe të mbështetura me grante.

Programi ka ndarë 25 milionë euro për dy banka komerciale në Kosovë, Bankën për Biznes dhe ProCredit Banke, po ashtu do të të kombinohen me një paketë të asistencës teknike dhe granteve për investime prej më shumë se 5 milionë euro nga BE në kuadër të Instrumentit për Asistencë Para-Anëtarësimit (IPA).

NVM-të mund t’i përdorin fondet për të përmirësuar kapacitetet dhe proceset e tyre të prodhimit si dhe cilësinë e produkteve, përmes implementimit të standardeve të BE-së për mbrojtjen e mjedisit, sigurisë dhe cilësisë.

Në prezantimin e këtij programi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se ndihma që mund t’iu jepet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në formë të granteve është ndihma më e mirë që shteti mund ta ndihmojnë prodhuesin vendor.

Shala: Ndihma që mund t’iu jepet ndërmarrjeve në formë të granteve është ndihma më e mirë

“MTI konsideron se ndihma që mund t’iu jepet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në formë të granteve është ndihma më e mirë dhe më transparente që shteti mund ta ndihmojë prodhuesin vendor. Në këtë mënyrë ne ndihmojmë drejtpërdrejtë prodhuesin në avancimin e produkteve dhe shërbimit që ai ofron, e kjo si qëllim primar për ta përfituar tregun vendor dhe zëvendësimin e produkteve të importuara nga vendet tjera. Së dyti, të përgatisim produkte apo shërbimet e tyre për të eksportuar në tregjet regjionale dhe ndërkombëtare dhe në ato tregje të gjejnë edhe blerës të rinj”, tha ai.

Shala tha se të gjitha aktivitetet që i bënë ministria e që kanë për synim kryesor përkrahjen financiare për kompanitë prodhuese dhe shërbyese në Kosovë, tregojnë zotimin e tij dhe të ministrisë që të qëndrojnë sa më afër prodhuesit vendor.

Po ashtu, ai tha se ta përkrahin jo vetëm në krijimin e ambientit ligjor dhe administrativ për të vepruar në Kosovë, por edhe me përkrahje direkte në plotësimin e nevojave të tyre për pajisje të reja teknologjike, plotësimin e kërkesave në implementimin e standardeve të ndryshme ndërkombëtare të cilësisë si parakusht kryesor për të eksportuar në tregjet e jashtme.

Kurse, shefi i Seksionit të Bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Luigi Brusa, tha se për të përmbushur sfidat në tregun e përbashkët evropian, bizneset kosovare do të gëzojnë qasje në kredi me kosto të përballueshme që mund t’i përdorin për investime në teknologji të reja dhe përmirësime të kapaciteteve.

Ai tha se si rezultat i programit, ndërmarrjet kosovare do të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese, do të prezantojnë produkte të reja dhe do të zgjerojnë konkurrueshmërinë e tyre në tregjet rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.

Brusa: Jemi duke përkrahur luftimin e korrupsionit që është një prej sëmundjeve që e rrezikojnë tregun e lirë

“Çka po bëjmë ne me këtë projekt është që të ofrojmë edhe mjete këshillimore bashkë me kolegët tanë dhe përmes ofrimit të asistencës teknike që lidhet me shërbimet këshillimore që nevojiten për të përmbushur këto rregulla dhe ato ofrohen nga ky projekt... Ju nevojitet një kornizë stabile e parashikueshme dhe e qëndrueshme ligjore, duke krijuar të njëjtat rregulla për të gjithë operatorët. Kemi nevojë apo ju duhet të keni një treg fleksibil  të punës dhe çka jemi duke bërë ne si Komision Evropian në atë aspekt jemi duke mbështetur arsimimin...Ne jemi duke përkrahur luftimin e korrupsionit që është një prej sëmundjeve që e rrezikojnë tregun e lirë, ne jemi duke ndihmuar institucionet kosovare që të luftojnë punën e padeklaruar dhe po punojmë me institucionet e Kosovës që të garantojmë siguri në punë për të gjithë punëtorët në Kosovë”, tha ai.

Në anën tjetër, Neil Taylor, Shefi i BERZH-it për Kosovën, është shprehur i bindur se ky program i ri do ta përmirësojë qasjen e bizneseve të vogla në financimin e nevojshëm. Sipas tij, kombinimi i financimit dhe i asistencës teknike do të shtyjë këto ndërmarrje për ta përmirësuar më tej performancën e tyre.

Taylor, tha se me aq sa ka parë në Kosovë, sektori privat ka shumë potencial.

Taylor: NMV-të janë qëllimi strategjik numër një për BERZH-in

“Sot NVM-të paraqesin vetëm rreth 5 deri në 6 për qind të eksportit, ne duam që ta ndryshojmë këto shifra. NVM-të në sektorin privat do të thosha janë qëllimi strategjik numër një për BERZH-in në Kosovë dhe ne jemi duke investuar paratë aty ku është nevoja. Vitin e kaluar 3/4  e investimeve tona në Kosovë kanë qenë në sektorin privat dhe ambicia ime, e BERZH-it është që kjo shumë të rritet në vitet e ardhshme. Me ndihmën e partnerëve tanë veçanërisht me ndihmën e BE-së ne kemi zhvilluar një program për mbështetjen e konkurrueshmërisë, që t’u ndihmojmë kompanive të shkojnë drejtë plotësimit të standardeve të BE-së, si dhe të bëjnë promovimin e investimeve në ekonominë e gjelbër”, tha ai.

BERZH ka filluar të investojë në Kosovë në vitin 1999. Deri më sot, në Kosovë Banka ka nënshkruar 63 projekte me vëllim neto të investimeve kumulative prej 366 milionë euro. Kosova është bërë anëtare e BERZH-it dhe vend i operacioneve në dhjetor 2012.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat