Nis Java e Parasë, BQK-ja dhe MASHT-i me marrëveshje për edukimin financiar

Ekonomi

Nis Java e Parasë, BQK-ja dhe MASHT-i me marrëveshje për edukimin financiar

Më: 25 mars 2019 Në ora: 12:28
Nis Java e Parasë, BQK-ja dhe MASHT-i me marrëveshje për edukimin financiar

Me rastin e hapjes së “Javës Ndërkombëtare të Parasë në funksion të Edukimit Financiar”, u nënshkrua sot memorandumi i mirëkuptimit në mes të BQK-së dhe MASHT-it në kuadër të edukimit financiar, e cila mundëson informimin e nxënësve për menaxhimin e parasë.

Guvernatori i Bankës Qendrore  Fehmi Mehmeti, tha se çështja e edukimit financiar ka një rol shumë të rëndësishëm në agjendën zhvillimore të BQK-s.

Sektori i shërbimit financiar, sipas Mehmetit ka një peshë të fuqishme në rritjen e edukimit, krijimin e vendeve të punës, krijimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.

Ai tha se nënshkrimi i marrëveshjes me MASHT-in do të jetë një fillim  i mbarë në formimin e kulturës financiare.

Mehmeti: Edukimi financiar ka rol të rëndësishëm në agjendën tonë zhvillimore

“Një nga qëllimet kryesore të BQK-s është nxitja e zhvillimit të shëndoshë të sistemit financiar në Republikën e Kosovës dhe zhvillimi i mëtutjeshëm i edukimit financiar. Me qëllim të krijimit të kulturës së mirëfilltë financiare që u ndihmon të gjitha palëve të interesit për të marrë vendime të duhura mbi bazën e njohurive të mjaftueshme, këto njohuri mund të përfitohen vetëm me një edukim financiar adekuat, që transformohen në sjellje financiare. BQK është  duke zhvilluar edukimin financiar në tre dimensione: në funksion të stabilitetit financiar, në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe në funksion të gjithëpërfshirjes financiare”, tha ai.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi u shpreh se ky memorandum bashkëpunimi me BQK-n është i rëndësishëm.  Ai bëri të ditur se shumë shpejt së bashku me BQK-në do të shpërndajnë tekstet shkollore që kjo fushatë të jetë afatgjatë dhe të arrijë cakun e synuar, për edukim financiar.

Bytyqi: Kemi bashkëpunim të ngushtë me BQK-n për edukimin financiar

“Ne si institucion jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë akterët tjerë, të cilët kanë interes që ta ndihmojnë edukimin dhe arsimimin në nivelin e duhur. Dhe, në këtë drejtim ka qenë edhe bashkëpunimi i ngushtë që ne e kemi me BQK-n, që përtej rritjes së cilësisë në sistemin arsimor t’ia shtojmë edhe një pjesë si ajo e edukimit financiar”, u shpreh ai.

Marco Mantovanelli nga Banka Botërore, tha se edukimi financiar është element shumë i rëndësishëm për të arritur gjithëpërfshirjen financiare.

Mantovanelli: Edukimi financiar, element kyç për gjithëpërfshirje financiare

“Uroj Bankën Qendrore dhe Ministrinë e Edukimit, Shkencës dhe Teknologjisë në këtë bashkëpunim rreth edukimit financiar. Ne si World Bank e konsiderojmë edukimin financiar si element kyç për të arritur përfshirje financiare, që është një nga qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara”, u shpreh ai.

Edhe Patric Etienne nga SECO (Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për çështje ekonomike) foli për rëndësinë e programit për edukim financiar.

Etienne: Programi piloton programin financiar në Pejë dhe në Prizren

“Specifika e programit është se piloton programin financiar në Pejë dhe Prizren dhe të bëjë involvimin e drejtpërdrejtë të autoriteteve lokale dhe remitencave në projekte, duke marrë parasysh edukimin financiar. Besojmë se është një qasje premtuese dhe në përgjithësi Zvicra, beson se sa më afër që janë autoritet me qytetarët aq më llogaridhënëse janë. Niveli komunal në Kosovë po punon më shumë sesa ai qendror. Remitenca nuk është një model i qëndrueshëm dhe është alarmuese situata ku të rinjtë janë të gatshëm për t’u larguar nga vendi për shkak të nepotizmit dhe arsye të tjera dhe këtu duhet të punohet më shumë", tha ai.

Në fund, u ndanë çmime për nxënësit fitues të konkursit “Mëso, kurse, fito”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat